Ramadan Nishori, i cili më 14.04.2025 rrëfeu publikisht për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës në vitet 1998-1999 në Kosovë, ka treguar se katër persona të tjerë janë lajmëruar në organizata joqeveritare për të rrëfyer se edhe ata janë të mbijetuar të dhunës seksuale në luftën e fundit.
Këtë deklarim Nishori e dha në panelin me temën: “Drejt drejtësisë: Forca dhe historia e të mbijetuarve” në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë, më 03.06.2025.
Nishori është burri i parë që rrëfeu në Kosovë për dhunën seksuale që ka përjetuar në luftë dhe këtë e bëri pikërisht në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Luftës.
Por, para deklarimit se katër të mbijetuar të tjerë janë paraqitur në organizata joqeveritare për t’u rrëfyer për dhunën seksuale në luftë, Nishori ka ndarë me të pranishmit në panel se si arriti personalisht ta ndajë rrëfimin e tij.
Nishori tha se ka qenë shumë e vështirë të lajmërohej në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRTC) për ta treguar historinë e tij, por atë e ka ndihmuar Vasfije Krasniqi-Goodman, gruaja e parë që foli publikisht për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës në Kosovë.
Ai madje tha se disa herë kishte tentuar të hynte në KRTC për ta treguar historinë e tij, por ka menduar se nëse e sheh dikush duke hyrë në këtë organizatë do ta paragjykonin dhe do të qeshnin me të.
“Unë s’disa herë jam afru te organizata [KRTC] po nuk mundesha me marr guxim kurrësesi me hi brenda se më vishin ato lloj-lloj pyetje në kry se më sheh dikush t’u hi mrena në organizatë ose mundet me qëllu ndonjë i njofshëm i cili është duke punu brenda në organizatë. Po pasi kemi bisedu me Vasfijen, më tha lirisht mundesh me shku në organizatë me u lajmëru se gjithçka që thuhet aty është konfidenciale”, ka treguar Nishori.
“Më kujtohet si sot dita e parë kur kam shku- kam shku i dërrmuar- se para se me shku në organizatë, për veti kam mendu shumë herë t’i baj keq edhe vetës, po falë psikologes, ndihmës që ma kanë dhanë këta unë sot jam këtu”, ka shtuar Nishori.
Përkundër gjendjes së tij emocionale, pjesëmarrja e Nishorit në seanca me psikologen në KRTC i ka ndihmuar shumë që ta merrte veten.
“Pas disa viteve, tash nisëm me marr pjesë edhe nëpër seanca grupore me të mbijetuar të tjerë dhe nisa çdo herë edhe me marr forcë ma shumë” – tha ai.
Megjithatë, Nishori vlerëson se forca më e madhe i kishte ardhur kur i kishte treguar gruas, historinë e tij.
“Te na të mbijetuarit sidomos mbramja është shumë e vështirë se në mbramje të vjen si një ngulfatje. Beso iksha gjysmë nate prej shpisë, kajsha, u shfryjsha dhe kur i kam tregu bashkëshortes m’u hjek. E hjeka një barrë bukur të rand prej vetës se ma nuk kisha nevojë me dal prej shpisë, me u shfry, po i çajshim tash hallet bashkë me bashkëshorten”, ka thënë Nishori.
Pas një kohe, ai bashkë me gruan vendosën që t’ia kumtojnë historinë e tij edhe vajzës së tyre, e cila është studente.“Unë nuk mujsha me ia shpreh me fjalë dhe e pata marr vendimin, i cili na ka pranu statusin [e viktimës] Komisioni Qeveritar, ia çes vajzës përpara. Tha: Bab, për këtë punë unë e di qe tri-katër vjet po nuk kam dasht me të tregu, pa më tregu ti i pari. Vajza u çua më kapi përqafe dhe tha: prej sot, deri tash sa e ke pasë përkrahjen time, tash e ki edhe më të madhe”, tregoi Nishori me shumë emocione.
Nishori konsideron se përkrahja e familjes është mbi të gjitha dhe shumë e madhe.
Para rrëfimit të Nishorit në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë pati një fjalë rasti Venesa Sylejmani, vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri-Sylejmani.
Sylejmani tha se është në dijeni se si është të rritesh nën hijen e terrorit që prek çdo pjesë të jetës dhe sipas saj, trauma nuk prek vetëm një gjeneratë.
“E kam pa nënë time duke u mundu të mbijetoj për çdo ditë jo vetëm për atë çka ka ndodhur gjatë luftës, por stigma, heshtja, mungesa e drejtësisë… Gratë dhe burrat e mbijetuar të dhunës seksuale nuk janë viktima të pafuqishme, janë gra dhe burra që kanë treguar forcë për të jetuar me plagët e të kaluarës”, tha Sylejmani.
“Në emër të çdo familjari që ka paguar çmim të lartë them: Ne nuk jemi vetëm… Drejtësia është e arritshme dhe zërat e të mbijetuarve dëgjohen”, shtoi Sylejmani.
Shyhrete Tahiri- Sylejmani është gruaja e dytë që doli publikisht brenda një viti, më 14.10.2019, për ta denoncuar dhunimin nga forcat serbe gjatë luftës pas Vasfije Krasniqi – Goodman.
Kurse, në panelin e diskutimit ku ishte Nishori, ishte edhe Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRTC), e cila tha se kur flasim për trajtimin e traumës nuk duhet të fokusohemi vetëm te i mbijetuari, por edhe te familja e të mbijetuarit.
“Mos të harrojmë se kjo natyrë e krimit nuk ka për qëllim vetëm me lëndu individin… Natyra e këtij krimi ushtrohet në prezencë të familjarëve. Trauma është prezent me të gjitha pasojat e mundshme edhe te familjarët”, ka thënë Rushiti.Pas punës me të mbijetuar të dhunës seksuale për një kohë të gjatë, ajo thekson se kanë mësuar se intervenimi në kohë është më se i domosdoshëm.
Me këtë rast Rushiti ka përmendur Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani dhe Ramadan Nishori si tri figura emblematike që kanë kaluar kufijtë e Kosovës me historitë e tyre.
“Nëse nuk e trajtojmë me kohë këtë krim të heshtur, pasojat janë të mëdha. Fatkeqësisht edhe fëmijët që lindin më vonë do të jenë bartës të këtyre traumave”, tha Rushiti.
Më 16.01.2025, Rushti njoftoi se së bashku me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) u nominua nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.
Lydmilla Makvey, gazetare ukrainase e cila dokumenton krimet e luftës dhe gazetarja e parë që ka gjetur strehim në Kosovë që nga lufta në Ukrainë tha në Forumin Ndërkombëtar se njerëzit nuk janë gjithmonë të gatshëm të ndajnë dhimbjen e tyre.
Makvey foli edhe për këndvështrimin e njerëzve në Ukrainë për rrëfimin apo jo të dhunës seksuale dhe sipas saj, dhuna seksuale në Ukrainë paraqitet jo vetëm në territoret e huaja por sidomos në robërimin rus.
“Në Ukrainë njerëzit janë të gatshëm që të bëjnë kontakte dhe mendoj se është shumë më e lehtë t’iu ndihmohet atyre. Në Ukrainë të mbijetuarit nuk quhen viktima, duhet të shohim pikë së pari personalitetin, kurse materialet gazetareske i quajnë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës”, tha Makvey.Ajo deklaroi se së paku 13 gazetarë ukrainas janë në robërinë ruse dhe se çdo ditë ballafaqohen me dhunë.
“Rusia nuk i ka thirrur këta si gazetarë por si terrorist dhe spiunë. Së fundi, një kolege imja ka vdekur si rob lufte… Kur është kthyer trupi në Ukrainë ka pasur shumë gjurmë të torturës dhe ka pasur vetëm 30 kg”, ka treguar Makvey.
Në Kosovë nuk dihet saktë numri i personave të përdhunuar gjatë luftës më 1999, por besohet të jetë rreth 20,000.
Nga shkurti i vitit 2018, kur ka nisur aplikimi për njohjen e statusit të viktimës, deri në qershor të 2024-tës kishin aplikuar 2,083 persona për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Mandati i Komisionit Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë është zgjatur deri më 15.05.2028, ndërsa afati për të parashtruar Kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës është zgjatur deri më 15.05.2027. /Kallxo/