×
  • Lajme
  • Lajme

    Ramosaj u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet nëse kanë informacione për ngjarjen në Gllogjan

    Reporteri
    27 Nëntor 2021 | 9:37

    Kryetari i Komunës së Deçanit ka reaguar sërish për tragjedinë në Gllogjan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një.

    Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve, derisa ka lutur të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth këtij krimi makabër që të bashkëpunojnë më institucionet për zbardhjen e këtij rasti.

    “Duke ju shprehur ngushëllime familjeve, lus të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth këtij krimi makabër, të bashkëpunojnë me institucionet relevante!”, ka shkruar Ramosaj.

    Ndryshe, rasti i sulmit ndaj autobusit që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një, po hetohet nga Policia si “vrasje e rëndë”.

    Kështu është cilësuar rasti në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, drejtuar mediave. Në raport thuhet se i dyshuari për këtë rast gjendet në arrati.

    “VRASJE E RËNDË- Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!