Raport i brendshëm i UNMIK’ut: Pretendim se Policia arrestoi dhe përdori forcë kundërligjshëm ndaj dy zyrtarëve të tyre, rusit dhe serbit

Policia e Kosovës, dje në Zubin Potok, gjatë një aksioni kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, arrestoi edhe dy zyrtarë të UNMIK’ut, një rus, Mikhail Krasnoshekov, dhe një serb, që ishte staf lokal. Reporteri.net, ka siguruar një raport të brendshëm të UNMIK’ut për këtë rast, dhe aty pretendohet se të dy zyrtarët u arrestuan kundërligjshëm, dhe ndaj tyre u përdor edhe dhunë.


Në këtë raport, fillimisht tregohet se të dy anëtarët janë staf i UNMIK’ut, njëri shtetas rus, zyrtar i çështjeve civile dhe oficeri më i lartë i vendosur në Zubin Potok, dhe tjetri një serb i Kosovës që punon si ndihmës i menaxhimit të programit në Zubin Potok.

Për të dy anëtarët e stafit të tij, UNMIK thotë se kanë marrë lëndime, ndërsa shtetasi rus i cili u lirua dje, është dërguar në një spital, ku po vazhdon të marrë trajtim mjekësor. Ndërsa anëtari tjetër i stafit, qytetari serb, vazhdon të mbahet në paraburgim, dhe ai është dërguar edhe në spital për trajtim, por UNMIK thotë se në këtë fazë nuk kanë informata për gjendjen shëndetësore të këtij anëtari të stafit.

UNMIK pretendon se anëtarët e stafit të tyre, ishin duke kryer përgjegjësitë e tyre të punës, për të raportuar për atë çfarë po ndodhte në Zubin Potok, dhe nuk ishin të përfshirë në vendosjen e barrikadës, të vendosur nga serbët lokal për të penguar aksionin e Policisë së Kosovës.

Tutje, UNMIK në këtë raport të brendshëm të siguruar nga Reporteri.net, thotë se personeli i tyre ka imunitet nga çfarëdo arrestimi ose ndalimi policor, dhe në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe të Kosovës i gjithë personlei i UNMIK’ut, vendor apo ndërkombëtar ka imunitet nga procesi ligjor në lidhje me fjalët e tyre të folura, e edhe veprimet e tyre të bëra në cilësinë zyrtare.

Në këtë raport, UNMIK bën të ditur se Prokuroria e Kosovës, në Mitrovicë, ka kërkuar që zyrtarit rus, Mikhail Krasnoshekov, të i hiqet imuniteti. Ndërsa, UNMIK thotë se kërkesat për heqjen e imunitetit që do të merren nga UNMIK-u, do t’i përcillen selisë së Kombeve të Bashkuara për një vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. /reporteri.net