×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Raporti i Borrellit për Kosovën, Konjufca: Do të ishte mirë të shkruante që bankat e Serbisë që u mbyllën ishin të paligjshme

    Reporteri
    29 Maj 2024 | 13:53

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell po përgatit një raport për Kosovën i cili do të çojë në heqjen apo jo të masave kufizuese që vendit tonë i janë vendosur tash e një kohë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Madje, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano dje bëri të ditur se Borrell në këtë raport për Kosovën do të përfshijë edhe aksionin e Policisë së Kosovës ku u mbyllën gjashtë njësi të bankës serbe, e nga ku u konfiskuan dhe një shumë parash.

    Për këtë, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Borrell është mirë që në këtë raport të shkruajë që këto banka të paligjshme të Serbisë në Kosovës.

    Këto deklarata sot Konjufca i bëri para gazetarëve në hollin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa tha se ajo bankë nuk ishte e lejueshme dhe duhet të trajtohen ashtu siç e thotë ligji, pra që të mbyllen.

    “Do të ishte mirë që z.Borrell ta shkruante raportin të thotë që këto institucione ishin banka të paligjshme të Serbisë në Kosovë. Është mirë me ja dhënë definicionin çka janë ato. Kështu ishin ato, ishin Banka të Serbisë në Republikën e Kosovës. Si të tilla nuk mendoj që ishin të lejueshme, dhe duhet të trajtohen ashtu siç e thotë ligji. Ligji e thotë që ato duhet të mbyllen”, tha Konjufca.

    Me një operacion policor, autoritetet kosovare mbyllën në veri të Kosovës gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, duke nxitur kështu reagime të autoriteteve ndërkombëtare.

    Ata thanë se Kosova nuk u koordinua me aleatët për këtë veprim.

    Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.

    Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

    Edhe Bashkimi Evropian në një deklaratë të lëshuar tha se ky aksion u bë pa paralajmërim dhe koordinim paraprak vetëm pak ditë pas takimit të fundit në Bruksel, ku siç u tha në deklaratë, u trajtuar edhe çështja e kësaj banke.

    Për BE-në aksioni ishte përshkallëzues dhe bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.

    “Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe cenon mirëbesimin e Kosovës në në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga BE.

    BE ka kritikuar institucionet kosovare për veprime të njëanshme dhe mosbashkëpunim me aleatët e saj. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!