Shefi i Njësisë së EULEX-it, Eck Koster, për monitorimin e rasteve, thotë se trajtimi i rasteve të profilit të lartë s’ka shënuar ndonjë rezultat, raporton gazeta online Reporteri.net.
Gjatë prezantimit të Raportit të EULEX-it për monitorimin e drejtësisë, Koster madje tha se disa prej tyre rrezikojnë të parashkruhen, derisa theksoi se nga periudha shtator 2023 deri në maj 2024, 230 nga 821 seanca të monitoruara kanë qenë joproduktive.
“Sa i përket trajtimit të rasteve te profilit te lartë, shume prej tyre nuk kanë shënuar ndonjë rezultat dhe janë përballë Rrezikut për parashkrim. Gjykatat nuk caktojnë ndëshkime për këto raste. Kemi vërejtur një përdorim te tepruar të masës së paraburgimit, në mënyrë sistematike pa një arsyetim te duhur dhe shpesh vazhdohet në mënyrë sistematike. 61 persona mbahen të paraburgosur për më shume se 2 vite për dallim qe në 2022 ishin 37 persona”, është shprehur Koster.
Megjithatë, Koster vlerësoi se progres është shënuar në çështjen e dënimit të krimeve të luftës, po ashtu edhe në luftimin e dhunës në baza gjinore.
Ndërkaq, shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, deklaroi se raporti fokusohet në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme, derisa ka përmenduar fushat që është shënuar progres, përfshirë edhe ato që s’kanë pasur.
Gjatë fjalës së tij, Barbano ka thënë se ky raport është një thirrje për veprim, duke thënë se Kosova e ka mundësinë për t’u bërë anëtarë e BE-së.
“Gjetjet e Raportit bazohen në monitorimin rigoroz të mbi 300 rasteve. Ne përgëzojmë institucionet e Kosovës për çiltërsinë dhe bashkëpunimin e tyre. Rruga drejt përafrimit në Bashkimin Evropian kërkon më shumë sesa reforma në drejtësi. Zotimi ynë për mbështetje është i palëkundur. Ky Raport është një thirrje për veprim. Kosova e ka mundësinë për t’u bërë anëtare e BE-së. “Përveç paraqitjeve dhe gjetjeve të nga monitorimit në këtë raport kanë ofruar rekomandime të shumta për institucionet e sundimit të ligjit me qëllim që të mbështetet një përmbushje më e mirë me kornizën ligjore të Kosovës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Raporti i këtij viti nuk është thjesht një përmbledhje e gjetjeve për dëshminë e rrugëtimit të sistemit gjyqësor të Kosovës. Raporti fokusohet në vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve tona të mëparshme duke theksuar fushat ku është shënuar përparim dhe duke tërhequr vëmendjen në mangësitë kritike që vazhdojnë të ekzistojnë”, deklaroi Barbano.
Ndërsa, shefi i shtyllës së monitorimit të EULEX-it, Giovanni Galzignato, ka thënë se raportet kanë vlerësuar aspekte specifike sa i përket funksionimit të të gjithë zinxhirit të drejtësisë.
/Reporteri.net/.