Komuniteti i Inteligjencës Amerikane kanë publikuar raportin vjetor të vlerësimit të kërcënimeve për vitin 2024.Në këtë raport është i përfshirë edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, rajon për të cilin parashikohet rritje e rrezikut për dhunë të lokalizuar ndër-etnike.
Raporti potencon se liderët nacionalistë ka të ngjarë që të përkeqësojnë situatën dhe të rrisin tensionet për ta përdorur situatën në avantazh të tyre politik. Gjithashtu thuhet se aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet entike për të rritur apo mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose edhe për të penguar integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe institucionet euro-atlantike.
“Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar një integrim më të madh ballkanik në institucionet e BE-së ose euroatlantike”, thuhet në këtë raport.
Raporti i referohet ngjarjeve të fundit në rajon, si agresioni i Banjskës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe tensionet e muajit maj 2023, ku përleshjet mes KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës lanë të plagosur dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse.
“Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë shkaktuar humbje në jetë të njerëzve dhe plagosje, duke përfshirë edhe lëndimet e forcave paqeruajtëse të NATO-s në vitin 2023,” shton raporti.
Today, ODNI released the U.S. Intelligence Community's 2024 Annual Threat Assessment. Read the report here: https://t.co/AlLUbVUVnr pic.twitter.com/0r9OtLwATw
— Office of the DNI (@ODNIgov) March 11, 2024
Gjithashtu përmenden edhe hapat provokativ të ndërmarrë nga Millorad Dodik në Bosnje e Hercegovinë.
“Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe për të siguruar shkëputjen de facto për Republikën Srpska. Veprimi i tij mund t’i shtyjë udhëheqësit e popullsisë boshnjake (myslimane boshnjake) të forcojnë kapacitetin e tyre për të mbrojtur interesat e tyre dhe ndoshta të çojë në konflikte të dhunshme që mund të mposhtin forcat paqeruajtëse”, thuhet në raport.