×
  • Lajme
  • Lajme

    Raporti: Ngacmimi seksual në vendin e punës, ndër sfidat më shqetësuese me të cilat përballen gratë gazetare

    Reporteri
    24 Janar 2025 | 15:34

    Rrjeti i Grave Gazetare në Kosovë ka publikuar raportin “Pozita dhe Siguria e Grave Gazetare në Kosovë”. Në këtë raport theksohet se një nga sfidat më shqetësuese me të cilat përballen gratë gazetare është çështja e ngacmimit seksual në vendin e punës.

    Pjesëmarrëset në anketim thuhet se kanë ndarë storje ngacmimesh verbale, komente të papërshtatshme dhe në disa raste sjellje të hapura armiqësore, nga kolegë ose mbikëqyrës burra, shkruan Reporteri.net.

    “Përvojat varionin nga komentet e rastësishme nënçmuese deri në raste më të hapura të diskriminimit, ku gratë ndiheshin të pasigurta. Megjithatë, edhe kur u raportuan rastet e ngacmimeve, reagimi nga organizatat mediatike ishte shpesh i ngadaltë ose joefektiv. Shumë gra shprehën frikën nga hakmarrja, duke përfshirë pasojat profesionale të tilla si humbja e punës ose reputacioni i dëmtuar, gjë që i dekurajonte ato të bënin ankesa ose të flisnin për përvojat e tyre”, thuhet në raport.

    Aty theksohet mungesa e mekanizmave të qartë për raportim dhe trajtim të këtyre rasteve.

    “Kjo kulturë e përhapur e ngacmimit seksual është e dëmshme jo vetëm për shkak të shqetësimit ose traumës së menjëhershme që shkakton, por edhe sepse krijon një mjedis pune armiqësor ku gratë ndihen të margjinalizuara dhe të pambështetura. Mungesa e mekanizmave të qarta për raportim dhe trajtimin e rasteve të ngacmimit vetëm sa e përkeqëson situatën, duke normalizuar sjelljet toksike dhe duke dekurajuar viktimat që të flasin. Për ta adresuar këtë formë të dhunës, është e nevojshme të krijohen politika të qarta kundër ngacmimit seksual brenda vendeve të punës, trajnime mbi barazinë gjinore për punonjësit e mediave si dhe mekanizma të sigurt për raportim dhe mbështetje për viktimat”, theksohet tutje në raport.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!