×
  • Lajme
  • Lajme

    Raportimi i ZRRE-së pa medie, Hoti: Kjo praktikë me dyer të mbyllura duhet të ndalet

    Reporteri
    23 Maj 2022 | 11:28

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas raportimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti pa prezencën e medieve.

    Ish-kryeministri Hoti me anë të një reagimi në Facebook ka thënë se, kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura duhet të ndalet.

    “Përse raporti i ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?! Pse publiku duhet privohet nga informatat për veprimet e ZRRE-së në përballje me krizën energjetike? Çfarë sekreti shtetëror janë vendimet e ZRRE-së për tarifat energjetike?! Kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura është e re dhe duhet të ndalet. Publiku ka të drejtë të informohet plotësisht. ZRRE-ja nuk është AKI, e as Polici apo FSK, të cilat sipas ligjit duhet të klasifikojnë informatat”, thuhet në reagimin e Hotit.

    Ditë më parë, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE-ja.

    Apeli thotë se ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit.

    ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!