×
  • Lajme
  • Lajme

    Raportimi për tragjedi kërkon ndjeshmëri dhe profesionalizëm, KMSHK thirrje për kujdes etik nga mediat dhe gazetarët

    Reporteri
    09 Maj 2025 | 20:48

    Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) u ka bërë thirrje mediave që raportimi për tragjedi të bëhet me kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm, duke respektuar plotësisht Kodin Etik dhe të drejtën e njerëzve për privatësi dhe dinjitet.

    Sipas Kodit të Etikës së KMSHK-së, raportimi për tragjedi duhet të zhvillohet vetëm kur ka interes të lartë publik. Edhe atëherë, mediat janë të obliguara të tregojnë mirëkuptim ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre, duke mbrojtur privatësinë e tyre dhe duke shmangur publikimin e pamjeve të dhunshme, fytyrave të viktimave apo informacioneve që cenojnë ndjenjat e të afërmve.

    Kodi i Etikës thekson se “mediat duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi” dhe të raportojnë me “empati dhe vetëpërmbajtje”. Në këtë drejtim, kërkohet që të mos publikohen fotografi apo video të të aksidentuarve, të vrarëve, të vetëvrarëve apo personave të dhunuar, veçanërisht kur përfshihen fëmijë.

    Gjithashtu, identiteti i viktimave nuk duhet zbuluar, përveç në raste me interes të lartë publik. Raportimi duhet të përfshijë paralajmërime për përmbajtje të ndjeshme dhe të shmangë imazhet tronditëse si kufoma, të plagosur apo pamje gjaku. Kodi kërkon që “viktimave në fotografi e video t’iu mbulohet fytyra ose të paktën pjesa e syve”.

    KMSHK kujton se publikimi i përmbajtjes së ndjeshme nga autoritetet nuk i heq përgjegjësinë mediave për t’u treguar të kujdesshme. Jo gjithçka që shpërndahet zyrtarisht duhet të merret si e mirëqenë, thuhet në Kod.

    Në përmbyllje, theksohet se “gazetarët dhe mediat duhet të tregojnë kujdes se çfarë i ofrojnë publikut” dhe se “duhet shmangur raportimi sensacional”.

    Ky rikujtim vjen si reagim ndaj mënyrës së trajtimit mediatik të disa ngjarjeve të fundit tragjike në vend, duke i kujtuar gazetarëve dhe redaksive rolin që kanë në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor edhe në momentet më të dhimbshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!