Policia e Kosovës e ka arrestuar një burrë në Fushë Kosovë i cili dyshohet për lajmërim të rrejshëm. I njëjti kishte raportuar para një jave se nën kërcënimin e armës i janë marrë një shumë e të hollave.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka deklaruar për Reporteri.net se pas hetimeve të zhvilluara, është vërtetuar se rasti ka qenë i sajuar.
“Pas hetimeve të zhvilluara në koordinim të ngushtë me prokurorin e shtetit, është vërtetuar se rasti i raportuar ka qenë i sajuar dhe nuk ka ndodhur në mënyrën e pretenduar nga ankuesi. Sot, personi që kishte paraqitur rastin rrejshëm është arrestuar nga policia. Ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën “lajmërim i rrejshëm”. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të çdo rasti dhe në mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke vepruar me profesionalizëm dhe në bazë të ligjit”, ka deklaruar Ahmeti./Reporteri.net