Ndonëse nuk ishte bërë publike, aktakuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ishte ngritur më datën 24 prill që koincidon me ditën e tij të lindjes, shkruan Reporteri.net
Pikërisht atë ditë djali i presidentit, Hashim Thaçi, Endriti kishe shkruar një urim emocional.
“Shkëmb babë. Gur I palëvizshëm, I patrembur, shtyllë pa të cilën kulmi nuk qëndron. Gjithmonë në zemrën time dhe të nanës=dhe një shteti të tërë. Urime ditëlindjen!”, kishte shkruar i biri i presidentit.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për të cilën u njoftua sot, ishte dorëzuar para 2 muajsh nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë në Dhomat e Specializuara.
Kështu thuhet edhe në komunikatën që publikoi emrat e dy të akuzuarve, në të cilën potencohej se ata akuzoheshin për rreth 100 vrasje duke përfshirë edhe vrasje politike, shkruan Reporteri.net.
“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhet në njoftim.