Autor: Erolinda Gashi
Media të caktuara kanë raportuar se sot pritet të shkarkohet kryeinspektori i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, për çështjen e rastit të Astrit Deharit.
Për këtë Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar me Ministrinë e Drejtësisë për të marrë një përgjigje nëse do të shkarkohet apo jo Topalli.
Genc Nimoni nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se sot do të publikojnë vendimin për çështjen në fjalë.
“Ministria e Drejtësisë sot do të publikojë vendimin për çështjen në fjalë, të vendosur nga Komisioni përkatës!”, ka thënë Genc Nimoni, Këshilltari i Lartë në Ministrinë e Drejtësisë, për Gazetën Online Reporteri.net.
Mostrat e Astrit Deharit ishin zhdukur në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në dhjetor të vitit të kaluar. Lajmin për humbjen e mostrave e kishte bërë të ditur Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media.
Ajo këtë akt e quajti të rëndë dhe kriminal dhe ka bërë me dije se nga IML janë zhdukur 15 mostra me gjak, nje mostër e urinës dhe një e lukthit.
Ditë më parë ishte raportuar për gjetjen e një pjese të mostrave të ish-aktivistit të VV-së brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML), konkretisht të lukthit dhe urinës ndërsa mungojnë mostrat e gjakut.
Lidhur më gjetjen e mostrave, kanë folur nga familja Dehari dhe avokati i tyre, por jo edhe institucionet e shtetit.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ishte i pari që reagoi për gjetjen e mostrave.
“Po thonë u gjetën…! Disa gazetarë po më pyesin se a janë gjetur mostrat e Astrit Deharit. Unë po ju them se nuk e di. Po nëse ju e din që janë gjetur a e dini kush është nën hetime apo në burg për zhdukjen e mostrave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, shkroi Gashi në Facebook.
Ndërsa, Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, ka thënë se si familje nuk i kanë lajmëruar për gjetjen e mostrave të djalit të saj.
“Përderisa nuk na kanë lajmëruar për gjetjen e mostrave të Astritit ne nuk dimë se si të veprojmë më tutje”, tha Xhemile Dehari për RTK-në.
Reagime pati edhe nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili e cila e komentoi rastin si “terror serik mbi drejtësinë”.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi me 16.02.2023, ka kërkuar nga Prokuroria që të merret në pyetje kryeministri i vendit Albin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Abazi gjatë një konference për media ka kërkuar po ashtu që Prokuroria të marrë në pyetje edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun si dhe Dejona Mihalin, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj Bajrami. /Reporteri.net/.