Lidhur me vdekjen e 4-vjeçares, Spitali i Gjakovës ka bërë të ditur se me 16 shkurt rasti ësht referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare për në Repartin e Pediatrisë, e ku më pas fëmija është ndaluar për trajtim të mëtutjeshëm në repartin e Kirurgjisë, shkruan Reporteri.net.
Më pas, siç thuhet, gjendja e 4-vjeçares është përkeqësuar dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim në QKUK.
Gjithashtu njoftojnë se është ofruar i gjithë dokumentacioni i kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit e deri në momentin e referimit të për në QKUK.
“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun, fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar.
Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen”, thuhet në njoftim.
Për këtë sot ka reaguar edhe KOMF-i. Në reagimin e tyre thuhet se kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor.
“Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës të cilat janë transmetuar në media, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë”, thuhet në komunikatën për media./Reporteri.net/