×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagime nga zyra e Presidentes ndaj Ambasadorit Hill: Paska vendosur ta rishkruaj historinë

    Reporteri
    24 Mars 2023 | 13:52
    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill

    Deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill për sulmet e NATO-s ndaj caqeve serbe dhe se Serbia nuk do ta harrojë kurrë atë periudhë ka ngjallur reagimin e zyrtarëve të shtetit të Kosovës.

    Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani në një postim në Twitter ka shkruar se duket që ambasadori Hill ka vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.

    Ajo më tej thekson se në fakt Serbia nuk duhet ta harrojë atë periudhë pasi sulmet ndodhën si përgjigje ndaj veprimet të një regjimi brutal dhe gjenocidal.

    “Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, tha ajo.

    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, sot deklaroi se populli serb nuk do ta harrojë kohën e bombardimeve gjatë 1999-s, derisa iu shprehu ngushëllime familjeve që humbën familjarë nga fushata ajrore e NATO-s.

    Ai shkroi në Twitter në 24-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, duke thënë se gjatë karrierës së tij, ka mësuar se ndodh që ndonjëherë diplomacia të dështojë, e kur kjo ndodhë, Hill tha se rezultatet mund të jenë tragjike.

    “Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë. Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë”, shkroi Hill.

    Sipas ambasadorit amerikan në Beograd, SHBA-ja e Serbia mund të ndërtojnë të ardhme për popullin serb dhe për brezat e ardhshëm.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!