Përfaqësues të qendrës strehimore të qenve “Katër Putrat” në Lipjan po e kundërshtojnë vendimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për ndërprerjen e kësaj veprimtarie.
Sipas tyre, këtë veprimtari e bëjnë në mënyrë vullnetare duke i trajtuar qindra qen endacakë, të cilët sillen rrugëve të qytetit, raporton KTV.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar se kjo qendër nuk i plotëson kushtet për trajtimin e qenve dhe madje nuk është e regjistruar si subjekt.
Sipas saj, Komuna e Lipjanit asnjëherë nuk e ka përkrahur këtë qendër pavarësisht se ka trajtuar qindra qen endacakë.
Në Komunën e Lipjanit kanë thënë se AUV-i ka filluar trajtimin e qenve endacakë edhe në Komunën e Lipjanit, i cili do të vazhdojë deri më 2021.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë se pronorja e strehimores ka qenë e njoftuar më herët për kushtet që duhet t’i plotësojë.
Rreth këtij rasti ka reaguar edhe Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve. Nëpërmjet një komunikate ata kanë thënë se do t’u qëndrojnë në krah të gjithë atyre që kanë strehimore dhe që veprimtarinë e tyre ta kthejnë në një punë të mirëfilltë.
Sipas rregullave në fuqi, koha e qëndrimit të kafshëve nëpër qendrat e përkohshme të strehimit nënkupton se qentë endacakë duhet të mbahen 5 -7 ditë në qendër dhe të lëshohen në vendin e kapjes. /Reporteri.net/