Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas aktgjykimit final në rastin Pronto ku të gjithë të akuzuarit janë liruar si të pafajshëm.
Ka qenë zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ai që ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook.
“Ja pse shteti në Kosovë është i kapur. Ndërkaq edhe më fyese bëhet puna kur të pandehurit e Pronto Aferës lirohen në mungesë të fakteve , ndërkaq siç e dimë dhe siç e kemi dëgjuar një pjesë e konsiderueshme e njerëzve në krye të “drejtësisë” janë vendosur nga ato telefonata”, ka shkruar ai teksa ka shpërndarë lajmin.
Ashpër ka reaguar edhe deputeti i zgjedhur i VV-së, Mefail Bajqinovci, i cili ka thënë se Kosovës i duhet urgjentisht ligji i vetingut që të spastrohen gjykatat nga gjykatës të cilët marrin vendime arbitrare.
“Kjo tregon për kapjen e shtetit nga PDK edhe pse këto prova ishin të publikuara me zë, prapë ky trup gjykues nuk i merr parasysh.
Këtij shteti i duhet urgjentisht ligji i vetingut që të spastrohen gjykatat nga gjykatës të cilët marrin vendime arbitrare.
Çfarë prova tjera duhet Grabovci and Co të dënohen.
Turp!!!”, ka shkruar ndër të tjera Bajqinovci.
Adem Grabovci, Zenun Pajazit, Besim Beqaj dhe 8 të akuzuarit e tjerë janë shpallur të pafajshëm në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, nën arsyetimin se nuk është provuar vepra penale. /Reporteri.net