×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon drejtoresha e Bordit të Telekomit: I plagosuri nuk është truproja im

    Reporteri
    20 Dhjetor 2019 | 10:44

    Pas publikimit të lajmit se i plagosuri mbrëmë në një lokal në Prishtinë është truproja i kryetares së Bordit të Telekomit, Besa Shatri, ajo ka reaguar. Ajo ka mohuar se personi në fjalë është shofer dhe truprojë i saj. Madje, ajo thotë se rasti në fjalë nuk ndërlidhet me punën e Telekomit.


    “Është shkruar sot se mbrëmë me armë zjarri është plagosur truproja dhe shoferi im personal gjë që nuk është e vërtetë. Personi në fjalë Shaban Ramaj nuk është truproje i imi dhe asnjë njohuri nuk kam për ngjarjen e ndodhur mbrëmë”.

    Në asnjë moment, sipas Shatrit, rasti në fjalë nuk ndërlidhet me punën në Telekomin e Kosovës.

    “Unë si drejtoreshë e Bordit të Drejtorëve të Telekomit distancohem nga çdo veprim dhe tentim që të ndërlidhet dhe përflitet emri im me këtë rast sikur kërkoj hetime nga organet e rendit dhe kujdes nga media që mos të përmendem për diçka që aspak nuk ka të bëjë me mua dhe punën time në Telekomin e Kosovës”, ka thënë ajo.

    Reagimi i Shatrit vjen pas lajmit se një zyrtar ka mbetur i plagosur gjatë festës së fundvitit të cilën e ka mbajtur mbrëmë Telekomi i Kosovës. Rasti ka ndodhur pak para mesnatës në një nga lokalet, në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur në një kafene të Prishtinës, ndërsa i plagosur ka mbetur Shaban Ramaj, truproja i kryetares së Bordit të Telekomit, Besa Shatri.

    Plagosja ka ndodhur pas rrahjes në lokal në të cilin kanë qenë punëtorët e Telekomit.

    Rasti është konfirmuar edhe nga raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës, derisa bëhet e ditur se zyrtari i plagosur është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

    “Në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri te plagosja ka ardhur pas një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve. I plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht, është vetëplagosur. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, njofton Policia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!