×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon Edi Rama për ftesat e Speciales, por askund nuk e përmend Haradinajn

    Reporteri
    20 Korrik 2019 | 14:28

    Dorëheqja e papritur e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas ftesës nga Gjykata Speciale, ka shkaktuar reagime  të shumta edhe në Tiranë.


    Për dorëheqjen e Haradinajt gjatë ditës së djeshme reagoi edhe presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të Shqipërisë.

    Megjithatë, deri para pak kohësh, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ishte i vetmi që nuk e kishte thënë asnjë fjalë lidhur me këtë vendim të Haradinajt, shkruan Reporteri.net.

    Edi Rama sot ka reaguar duke folur në përgjithësi për ftesat e Speciales që iu bënë së fundmi disa prej udhëheqësve të UÇK-së, mirëpo ai askund nuk përmend emrin e Haradinajt, e as nuk komenton vendimin e tij për dorëheqje.

    Ndër të tjera, Rama përmes një postimi në Twitter, shkruan se  këtë zhvillime janë sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20 vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre.

    “Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, thuhet në postimin e Ramës.

    Kujtojmë, se pas Samitit të Berlinit përplasjet mes Ramush Haradinajt e Edi Ramës u shtuan, pasi kryeministri në dorëheqje i Kosovës, kishte deklaruar se  Edi Rama dhe Hashim Thaçi nuk i kishin dalë në krah në këtë Samit dhe se në sy të ndërkombëtarëve i kishin bërë presion për ta hequr taksën.

    Në anën tjetër reagimi i Ramës kishte qenë i menjëhershëm duke i përgënjeshtruar këto deklarata.

    Ramush Haradinaj dha dorëheqje gjatë ditës së djeshme pas ftesës për t’u intervistuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, në cilësinë e të dyshuarit.

    Ai pritet që më 24 korrik të udhëtojë drejt Hagës. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!