Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pasi që Gjykata Themelore e Pejës ka vendosur 1 muaj arrest shtëpiak për Haki Rugovën, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar aktual i Istogut.
Mustafa ka thënë se arrestimi dhe mbajtja në arrest e Rugovës është bërë pa asnjë bazë ligjore.
“Në emër të LDK-së kërkoj që të zhvillohet sa më shpejt procesi gjyqësor, nëse ky proces zhagitet konsiderojmë se arrestimi i tij dhe denigrimi para opinionit është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe LDK-në e cila sot po mundohet të bëjë përpjekje me të mëdha për ta qeverisur vendin. Arrestimi nga policia dhe prokuroria është kryer ditën kur është diskutuar 100 ditëshin e qeverisë, sepse s’ka asnjë aferë korruptive. Me këtë është tentuar të njolloset pastërtia e kësaj qeverie”, ka thënë Mustafa, shkruan Reporteri.net.
Mustafa tha se LDK do t’i drejtohet organeve kompetente për të kërkuar auditim të procesit dhe arrestimin se në cilat baza ligjore e kanë vend në arrest Rugovën dhe çfarë rreziku ka paraqitur që të zbatohet kjo e masë e arrestit ndaj tij.
Gjykata Themelore në Pejë sot ka marrë vendim që t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak prej 1 muaji kreut të Komunës së Istogut, Haki Rugovës. /Reporteri.net/.