Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë një reagim në Facebook disa orë pasi Gazeta Online Reporteri.net publikoi disa komunikime të brendshme mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie në Viber, ku flitet për një “skeme të organizuar kriminale” lidhur me votat me postë të mërgatës.
Në komunikimet e publikuara sot, janë mesazhet e Kujtim Shalës, Arben Gashit, Armend Zemajt dhe Avdullah Hotit. Gashi në këtë komunikim këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.
Abdixhiku i ka cilësuar këto si “sulmet e sinkronizuara ndaj LDK-së”.
“Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka deklaruar se këto janë tema të brendshme, për të cilat ka thënë se janë diskutuar tashmë në Kryesi.
“LDK i beson institucioneve tona në çdo drejtim; dhe në këtë drejtim. Ne nuk bëjmë as prokurorinë e as gjyqësinë. LDK i ka besuar institucioneve tona edhe kur ka fituar në tri nivele betejën e tentim anulimit të votave tona me partinë në pushtet. Tri fitore në tri nivele – sepse vota jonë është e shenjtë dhe e drejtë! Prandaj dhe fitorja ligjore. Nga opozita, nga vendi i tretë, nga pozicioni i sulmuar nga të giithë përnjëherë! E drejta megjithatë triumfon!”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas tij, kështu po tentohet të nënshtrohet LDK’ja.
“E vërteta është e thjeshtë. Krejt e thjeshtë dhe e drejtë! LDK po qëndron për veten; dhe nëpërmjet vetes dhe për Republikën. E sepse po qëndron si e tillë, edhe po sulmohet nga të tjerët. S’janë mësuar të na shohin kështu. Nuk e pranojnë kështu! Prandaj janë bashkë si një kundër LDK-së! Duan ta thyejnë, ta ligin, ta bëjnë të dorëzohet, dhe kështu nënshtrohet!”, ka shkruar tutje ai.
Ndryshe, Reporteri.net sot publikoi komunikimet e brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku.
Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në këtë komunikim po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”. Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar këto komunikime të brendshme.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në Viber të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.
“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.
Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.
“Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp” e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi