Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, i ka reaguar MAPL-së lidhur me largimin e Festivalit të Sunny Hill-it nga Prishtina.
Prishtina humbi organizimin e festivalit si pasojë e vonesave të dokumentacioneve nga ana e MAPL-së, e cila thotë se komuna nuk ia ka dorëzuar në kohë të gjitha dokumentet e nevojshme. Sahatçiu thotë se MAPL po mashtron.
“Pse heshti MAPL në propozimin e Sunny Hill për mos me marrë asnjë copë tokë vetëm ta ketë një hapësirë me infrastrukturë për festival si duhet që merr leje dhe e shfrytëzon 30 ditë? Mos mashtroni. Nuk deshtët”, tha ajo në Twitter.
Pse heshti MAPL në propozimin e Sunny Hill për mos me marrë asnjë copë tokë vetëm t’a ketë një hapësirë me infrastrukturë për festival si duhet që merr leje dhe e shfrytëzon 30 ditë? Mos mashtroni. Nuk deshtët.
— Donjeta Sahatçiu (@DonjetaSahatciu) June 14, 2022
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ia ka hedhur fajin Komunës së Prishtinës për anulimin e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se ka pasur mungesë të dokumenteve esenciale në aplikacion.
“Nisur nga fakti se instiucionet lokale janë konstituuar me vonesë për shkak të procesit zgjedhor, MAPL në fillim të këtij viti ju ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri me 31 mars 2022. Në anën tjetër, vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për ‘The Sunny Hill’, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022. Anipse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore. Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë: a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit; b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të Rregullorës (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës”, thuhet në njoftim.
MAPL-ja ka thënë se për vendimin e Komunës së Prishtinës që “Sunny Hillit” t’i jepet një pronë në Bërnicën e Poshtme për 99 vjet ka pasur reagime nga shoqëria civile që ka tërhequr vërejtjen për mënyrën se si ishte proceduar me procesin.
“Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht Ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama. Duke e ditur rëndësinë e një cilitdo investim madhor dhe nevojës për projekte serioze dhe gjithnjë përmes procedurave siç parashohin ligjet dhe rregulloret, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike ju njoftojmë se jemi në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë”, thuhet në reagim.
Edhe pse Ministria thotë se ende po e shqyrton aktin dhe se s’ka vendosur për anulim të tij, tashmë “Sunny Hill” ka njoftuar për zhvendosje në Tiranë e krerë të Shqipërisë i kanë ofruar mikpritje.
Edhe kreu i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi festivali “Sunny Hill” dështoi të organizohet në Prishtinë.
Rama ia ka lënë fajin Qeverisë Kurti për këtë, duke thënë se ky vendim do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Ramës, dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.
“Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë. Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se pret që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës.
:Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit. Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”, ka shkruar Rama./Reporteri.net