Bilall Sherifi nga NISMA Socialdemokrate përmes një konference për media ka reaguar lidhur me bastisjen që po ndodhë prej 6-orësh në shtëpinë e Jakup Krasniqit.
Ai ka thënë se aksioni i ndërmarrë nga EULEX-i është i panevojshëm, dhe se Krasniqi me një ftesë të thjeshtë që do t’i dërgohej do të paraqitej para hetuesve të Speciales.
“Kjo që keni parë sot është e panevojshme. Krasniqi është një njeri që gjithë jetën ja ka kushtuar drejtësisë dhe ka lufutar për drejtësinë kolektive. Ka sakrifikuar lirinë individuale në funksion të drejtësisë kolektive. Skenat që po i shohim janë të panevojshme dhe traumatike për familjen pasi Krasniqi ka qenë i gatshëm t’i përgjigjet drejtësisë. Besojmë në luftën për liri dhe pavarësi të Krasniqit dhe askush nuk mund ta njollos veprën e tij në shërbim të atdheut. UÇK është arritja më e madhe, askush nuk mund ta njollosë luftën e saj. Veprimet e sotshme nuk kanë qenë të nevojshme dhe me një ftese të thjeshtë do të parqitej dhe Kosova ka dhënë shembull të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare dhe njëjtë do të veprojë edhe me Specialen. Zëdhënësi i Millosheviqit është zgjedhur kryetar i Kuvendit i cili kërcënon gjithë ata serb që denoncojnë varrezat masive të shpërndara në territorin e Serbisë. Në kohën kur zëdhënësit e Millosheviqit zgjedhet kryetar Kuvendi, kërcënon dëshmitarët për mosdenoncim dhe mosinformim se ku gjendet varrezat, zëdhënësi i UÇK arrestohet bastiset gjoja për krimet e luftës”, ka thënë Sherifi në konferencë, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se do të kërkojnë drejtësi përmes institucionit të Gjykatës Speciale, dhe duhet përgatitur që kjo betejë të fitohet në sallat e gjyqit siç është fituar lufta me SHBA-të.
“Vendi sot është atakuar, UÇK është atakuar, nuk janë në pyetje individët, por bëhet fjalë për vlerën më të madhe të popullit tonë siç është UÇK”, ka thënë Sherifi. /Reporteri.net/.