×
  • Lajme
  • Lajme / Moskoordinimi

    Reagon Presidenca: Qeveria nuk është konsultuar me presidenten për letrën që e dërgoi në KiE

    Reporteri
    16 Maj 2024 | 15:32

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se letra e Qeverisë së Kosovës dërguar në Këshillin e Evropës, nuk është konsultuar e as dakorduar me të, shkruan Reporteri.net.

    “Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës, si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhet në deklaratën nga Presidenca.

    Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten se ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.

    Në deklaratën që ka lëshuar këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, thuhet se çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione.

    “Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi.

    Rrjedhimisht, Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, thuhet në njoftimin e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!