×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon presidenti Thaçi: Askush s’po tenton t’i ikë drejtësisë, s’ka nevojë për ekspedita dhe aksione spektakolare

    Reporteri
    25 Shtator 2020 | 19:19

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas zhvillimeve të sotme ku hetues të Gjykatës Speciale kanë kryer bastisje në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


    Në një deklaratë për media, Thaçi ka thënë se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë, shkruan Reporteri.

    Sipas tij, publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm.

    Thaçi po ashtu ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe gjithë bota pret që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve se UÇK-ja ka kryer krime.

    Sipas tij UÇK-ja ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri dhe pavarësi dhe është e njohur e tillë nga bashkësia ndërkombëtare.

    Ai ka thënë se askush nuk po tenton ti ikë drejtësisë, andaj është shprehur se nuk ka nevojë për për ekspedita dhe aksione spektakolare.

    Ky është reagimi i plotë i Thaçit:

    Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës

    Qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” apo për “Shtëpinë e verdhë”, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara.

    Siç tregon historia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare.

    Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë.

    E theksoj se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm.

    Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë.

    Është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në perputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve.

    Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet.

    E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik.

    Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e të vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.

    Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i institucioneve të shtetit të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!