×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon Vetëvendosje, i quan shantazhe akuzat e Këshillit Prokurorial ndaj Selimit

    Reporteri
    13 Prill 2019 | 13:50

    Vetëvendosje e ka quajtur shantazh reagimin e Këshillit Prokurorial ndaj deputetit të saj, Rexhep Selimi.


    Përmes një reagimi në Facebook, VV thotë se sipas tyre deklarata e Këshillit Prokurorial dërguar mediave ishte prorositur nga zyra e kryeprokurorit Lumezi.

    Sipas tyre, kanë kalaur një javë dhe askush nuk është tërhequr nga këto shantazhe.

    Ky është reagimi i plotë i Vetëvendosjes:

    Prokuruesit e Aleksandër Lumezit s’kanë më alibi.

    Kaluan shtatë ditë dhe ende asnjë nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është distancuar nga reagimi shantazhues dhe i paprecedentë i publikuar nga zyra e shtypit e këtij institucioni.

    Dokumenti i datës 6 prill 2019 me titull “Reagimi i Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit ndaj deklaratave të deputetit Selimi në RTK” dërguar redaksive të mediave, ishte iniciuar nga zyra e Prokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi drejt Këshillit Prokurorial.

    Reagimi i tyre kolektiv, për sa që asnjë nga anëtaret dhe anëtarët nuk është tërhequr nga ajo përmbajtje, përbën shantazh ndaj një përfaqësuesi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ndaj një subjekti politik parlamentar. Si i tillë është i dënueshëm, edhe ligjërisht.

    Shumica e tyre e zgjedhur prej 1 janarit 2016, bashkë me Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi në vitin 2015 dhe me Kryesuesin Hyseni, ish deputet i PDK-së që u zgjodh këtë vit, kanë dështuar jo vetëm në misionin e tyre si garantues të drejtësisë publike por edhe e kanë cenuar në plotni institucionin emrin e të cilit mbajnë.

    Ky këshill prokurorial nuk mund të quhet ndryshe përveçse i kapur dhe i dirixhuar nga interesa që nuk janë ato të publikut. Si i tillë duhet shkarkuar.

    Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Rexhep Selimi dhe në përgjithësi përfaqësuesit e Lëvizjes, profesionistë, pjesëtarë të shoqërisë civile, mijëra qytetarë, prej kohësh apelojnë në Prokurorinë e Shtetit për veprime sipas detyrës zyrtare dhe detyrimeve ligjore që i ka sistemi prokurorial në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Në të kundërt Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, të cilin e ka marrë në mbrojtje Këshilli Prokurorial, i ka mbyllur sytë dhe veshët ndaj krimit e korrupsionit të cilësdo formë e natyrë. Ai dhe ata kanë toleruar përndjekjen dhe kërcënimin publik të kolegut të tyre Elez Blakaj nga vet Kryeprokurori Lumezi, nga ish kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe nga Kryeministri.

    Kanë heshtur përballë krimit që po ndodh në Telekomin e Kosovës, në KEK, në secilën ndërmarrje publike qendrore dhe lokale të Kosovës. Ndonëse ka rezoluta në Kuvend që i bëjnë thirrje të veprojnë. Thirrje të përsëritura ka dhe për krimin e organizuar që ka mbështjellë çështjen e sigurimeve shëndetësore dhe korrupsionin me fondet e sistemit informativ shëndetësor.

    Ky sistem prokurorial nuk ngriti asnjë aktakuzë për kontrabandën me importin e energjisë elektrike, me barnat e me karburantet. Nuk arriti të adresonte asnjë rast të pastrimit të parave dhe të përfundonte një proces antimafia apo antikorrupsion me sukses. Ndërsa krimet e luftës presin dosjeve duke i konsumuar dëshmitarët deri në fund të jetës pa i thërritur askush. Ndërsa dosjet e krimeve të luftës të dorëzuara nga familjarët e të pagjeturve dhe të vrarëve, mbeten arkivave të prokurorisë të patrajtuara.

    Janë fshehur duke mosvepruar përballë krimit të organizuar në strukturat e larta të Policisë së Kosovës dhe Inspektoriatit policor. Tolerojnë çdo ditë duke mos nisur hetimet për asnjë nga skandalet në Drejtorinë e Krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, ndonëse plot prokurorë individualisht rrezikohen çdo ditë nga sabotimi dhe bashkëpunimi me krimin të këtij segmenti.

    Vonojnë, neglizhojnë rastet e dhunimit të grave dhe i mbyllin ato në mënyrë flagrante. Shkaktuan një maskaradë të tmerrshme me rastin e burgosjes dhe mbytjes në burg të aktivistit Astrit Dehari dhe askush prej këtij sistemi nuk dha përgjegjësi.

    Madje Kryeprokurorit iu arratis gjatë procesit edhe personi i akuzuar për vjedhjen e shtëpisë së tij e ende nuk dihet qartë se çfarë u bë me atë proces.

    Është tragjikomike t’i ofrohet publikut shpjegimi i ndërhyrjes në “sistemin gjyqësor” në rastin e kritikave publike të një deputeti për heshtjen e Kryeprokurorit ndaj krimit. Së pari, na dëftojnë për mungesën totale të profesionalizmit duke u thirrur në ndarjen e pushteteve, a thua se janë Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Së dyti, na njoftojnë për gjunjëzimin total, kur dështojnë së mbrojturi pavarësinë e tyre nga ndikimi i drejtpërdrejtë i ekzekutivit.

    Këshillit prokurorial i Kosovës, Prokurori i shtetit, sistemi prokurorial, janë pa dyshim institucione të e mekanizma të pavarur. Por nga qeveria ama, jo nga ligji. As nga drejtësia e interesi publik. Janë aty jo për të mbrojtur veten por shtetin, qytetarët.

    Koha e tyre ka skaduar, ndaj edhe mandati i tyre duhet gjithsesi. Njëjtë dhe për Prokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi që vetëm shtetin nuk e përfaqëson.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!