Në temperatura të ftohta, shumë pjesë të Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Qyteti i Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, janë zonat më të afektuara nga ndërprerja e energjisë elektrike.
Ndalja e energjisë elektrike po thuhet të jetë për arsye të mbingarkesës për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në këto kohë, pas motit me temperatura të ulëta.
Mungesa e energjisë ka nxitur reagime të shumta të opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Vetë kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme është përballur me indinjatën e një qytetari rreth kësaj çështje. Ky mërgimtar i cili ka ardhur në Kosovë për festat e fundvitit, iu ankua kryeministrit Albin Kurti për mungesën e energjisë elektrike.
“I kemi dhënë prioritet kësaj pune. Prej 2007 ka qenë në plan por nuk është realizuar deri tash. Tash i kemi dhënë prioritet. Por nuk mund ta bëjmë përnjëherë, për shkak se është rritur ngarkesa”, tha Kurti të mërkurën.
Kurse Ministria e Ekonomisë, të mërkurën ka njoftuar se mbrëmë vonë ka mbajtur takim të përbashkët me KOSTT dhe KEDS për të trajtuar situatën e furnizimit me energji elektrike pasi që qytetarët e disa komunave të Kosovës kanë raportuar ankesa gjatë ditëve të fundit.
Ministria është arsyetuar për mungesën e energjisë elektrike duke thënë se, “zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit”.
Ministria e Ekonomisë tha se sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin”
Nga kjo Ministri kanë bërë thirrje që të shfrytëzohen burimet alternative për ngrohje si druri ose peleti.
“Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”, u tha në apelin e tyre.
Një nga komunat më të prekura nga reduktimet e energjisë elektrike është Ferizaj. Kryetari i kësaj komune Agim Aliu, ka thënë mbrëmë se Ferizaj po përballet me mungesë të pashembullt të energjisë elektrike.
“Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pa ndodhur më parë sa i përket furnizimit me energji elektrike. Vetëm sot, mbi 5 orë pa rrymë i gjithë Ferizaj, e kjo gjendje po vazhdon edhe tani. Në terr familjet, në terr mërgimtarët që kanë zgjedhur të kalojnë festat me familjarët e tyre në vendlindje, në terr bizneset që po humbin mijëra euro çdo orë nga dëmet që sjell mungesa e energjisë elektrike”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi të martën për gazetën online Reporteri.net, tha sese mbingarkesa po shkakton këto telashe dhe një pjesë e konsumatorëve po ballafaqohen me këtë, e madje po rrezikohen edhe asetet, duke çuar deri në djegjen e tyre.
“Rritja tej mase e konsumit të energjisë elektrike ka shkaktuar një varg mbingarkesash në shumë pjesë të Kosovës. Mbingarkesa, si e tillë, po shkakton telashe në disa zona kyçe. Si rrjedhojë, një pjesë e konsumatorëve janë duke u ballafaquar me sfidë të furnizimit me energji elektrike, pasi po rrezikohen asetet dhe po vjen deri te djegia e tyre që, si pasojë, konsumatorët po mbesin për një kohë pa energji elektrike deri në zëvendësimin e aseteve, ku në raste të caktuara përfshijnë kabllot e deri te transformatori”, tha Krasniqi për Reporteri.net.
Ministria e Ekonomisë gjatë vitit 2022, dhe në muajin shtator të viteve 2023 dhe 2024 kishte hapur thirrjet për subvencionimin në pajisjet efiçiente të ngrohjes./Reporteri.net/