Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po e bllokon formimin e qeverisë së re, pas refuzimit të kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, për t’u takuar me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtit.
Sipas Cakollit, LDK-ja po e privon edhe veten nga mundësia për të pasur rol udhëheqës opozitar.
“Dinjiteti politik është i rëndësishëm, po aq sa edhe përgjegjësia për të mos u kthyer në pengesë! Është legjitime të refuzosh bashkëpunimin politik me dikë që të ka fyer apo delegjitimuar ndër vite. Është po aq legjitime të ruash një qëndrim të distancuar ndaj polarizimit dhe fjalorit përçarës. Por kur ky refuzim bëhet universal – ndaj të parit, por edhe ndaj pjesës tjetër të spektrit opozitar – atëherë çështja nuk është më morale, por politike. Kjo qasje e LDK-së mund të tingëllojë si strategji afatmesme për të ruajtur fjalën e dhënë, por në realitet shndërrohet në një formë autoizolimi, që e privon partinë jo vetëm nga pushteti, por edhe nga mundësia për të pasur rol udhëheqës opozitar”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Cakolli e ka quajtur ta pakuptimtë që një parti të mos pranojë të flasë me partinë e parë, por në të njëjtën kohë të mos i hapë rrugë as ndonjë formule tjetër opozitare, duke e bërë të pamundur çdo shumicë.
“Ky pozicion nuk është më qëndrim, është bllokim”, ka thënë tutje.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.