×
  • Lajme
  • Lajme

    Refuzohet kërkesa e Smakajt për pezullim të procesit në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë

    Reporteri
    08 Prill 2025 | 23:37

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim me të cilin kanë refuzuar kërkesën e Bashkim Smakajt të parashtruar përmes ekipit të vet mbrojtës, për pezullimin e procesit ku ai akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Gjykatësja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, në çështjen kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve për akuzat lidhur me administrimin e drejtësisë, vendimin për refuzimin e kërkesës së mbrojtjes së Smakajt e mori më 7 prill 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Mbrojtja kishte kërkuar pezullimin e procesit, duke pretenduar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk i nxori informacionet përkatëse gjykatëses së procedurës paraprake gjatë procesit të konfirmimit të aktakuzës.

    Lidhur me këto pretendime, gjykatësja Marjorie Masselot e refuzoi kërkesën e mbrojtjes, duke konstatuar se nuk ishin plotësuar kriteret për pezullimin e përhershëm të procesit.

    Në vendim, gjykatësja Masselot theksoi se ZPS-ja nuk ka shkelur detyrimet e saj me mospërfshirjen e intervistës së dëshmitarit specifik në materialin që mbështet aktakuzën, pasi kjo intervistë do të trajtohet gjatë gjykimit duke pasur parasysh argumentet dhe provat e palëve në tërësi.

    Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, Smakaj ngarkohet me dy vepra penale. Ai akuzohet për tentim për të penguar përmes veprimeve të përbashkëta të grupit, personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare midis së paku 9 shtatorit 2023 dhe 30 tetorit 2023 e dënueshme sipas neneve 17, 21, 33, 35 dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, sipas neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Po ashtu, Smakaj akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës së paku midis 9 shtatorit 2023 dhe 30 tetor 2023, e dënueshme sipas neneve 21, 33 dhe 393 të KPK-së, sipas neneve 15 (2) dhe 16 (3) të ligjit të Gjykatës Speciale.

    Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor 2024.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!