×
  • Lajme
  • Lajme

    Reka: Po çuditem pse Kosova e Shqipëria po heshtin për kandidaturën time, jam shqiptari i vetëm në garë

    Reporteri
    18 Prill 2019 | 11:56

    I ka hyrë i vetëm garës për president. Madje fushatën po e bënë vetëm me disa fletushka. Kandidati i parë shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, ndonëse rrugës ka gjetur përkrahje të masës, është shprehur i habitur me heshtjen e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë karshi kandidaturës së tij.


    Vetëm pak kohë më parë, shqiptarët e Tuzit dhanë shembullin se të bashkuar mund të fitojnë, e njëjta nuk po ndodh në Maqedoni. Kjo ka bërë që Reka të adresojë kritika për Bashkimin Demokratik për Integrim, parti kjo e cila ka dal në krah të kandidatit maqedonas të LSDM-së, Stevo Pendarovski.

    Në një intervistë për KP, Reka thotë se ky është momenti i fundit që Maqedonia e Veriut ta ketë një president shqiptar, teksa tregon edhe arsyet që e kanë shtyrë që t’i hyjë garës presidenciale.

    “Arsyeja e parë është intelektuale dhe e dyta kombëtare. Në planin intelektual, erdha në një përfundim që pas shumë vitesh, kritikash, intervistash, shkrimesh, postimesh në Facebook për ndryshim të gjendjes, e kuptova se gjendja nuk ndryshohet me aktivitet virtual, por vetëm me angazhim real… Arsyeja e dytë, kombëtare, pse vendosa të kandidohem, është pikërisht sfidomi, që në ditën që unë kandidova, kishim dy kandidatë maqedonas, dhe unë konsiderova që një shtet që e ka një të tretën popullsi shqiptare, dhe një të tretën e elektoratit shqiptar, do të ishte injoruese ndaj këtij elektorati që të mos ketë një ofertë shqiptare, që të mos ketë një kandidat shqiptar. Me fjalë të tjera, desha të tregoj se shqiptarët në Maqedoninë e veriut nuk duhet të jenë vetëm votues, si deri më tash, por duhet të jenë të votuar”, thotë Reka.

    Reka thotë se dëshiron të udhëheq një shtet me rend republikan, kundër kapjes së shtetit, kundër privatizimit të shtetit, një shtet pa korrupsion dhe nepotizëm, një shtet të cilin do ta udhëheqin politikanë me ‘duar të pastra’.

    Ndërkohë, një mori kritikash ka adresuar ndaj qeverisjes aktuale, teksa ka treguar edhe disa nga hapat që do të ndërmerr në rast se bëhet president.

    Kështu, një ndër detyrat e para që i ka vënë vetes si president, Reka thotë të jetë inkuadrimi i shqiptarëve në poste publike si në Presidencë dhe institucione tjera shtetërore.

    “Me sa kam njohuri, në kabinetin e presidentit është vetëm një shqiptar i punësuar dhe kjo është vërtet për t’u habitur. Si mund të pretendojmë se jemi shoqëri multietnike nëse në organin më të lartë shtetëror kemi vetëm një të punësuar shqiptar. Ka shumë sfida që më presin nga momenti nëse e marr postin e presidentit, por do të duhet që gradualisht ta rikthej multietnicitetin e injoruar në këtë shtet”, thotë ai.

    Sipas tij, pas një periudhe postkonfliktuale në Maqedoninë e Veriut, për gati 20 vjet, është koha për një marrëveshje me qytetarët, e jo mes elitave pushtetare.

    “Konsideroj se pas një periudhe gati 20 vjeçare postkonfliktuale në Maqedoni, që ende qeveriset përmes marrëveshjes kornizë të Ohrit, është koha për një marrëveshje të re në këtë shtet, për një marrëveshje të re politike, midis qytetarëve të saj, dhe jo në mes të elitave, sepse elitat me pazaret e tyre, e kanë sjellë shtetin në këtë situatë çfarë jemi.Tashmë jemi në dekadën e dytë të shekullit 21, dhe ne duhet të gjejmë fuqinë, me një marrëveshje të re politike, që Maqedoninë ta shndërrojmë vërtet në një shtet multietnik dhe jo siç është monoetnik, me gjuhë zyrtare maqedonishten dhe shqipen, dhe me përfaqësim adekuat të të gjithë qytetarëve të saj, për të pas qasje në të gjitha institucionet shtetërore”, thotë ai.

    Se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut tash e disa vite ballafaqohen me mos-regjistrimin e tyre në regjistrimin e popullsisë e pohon edhe profesor Reka, ku thotë se ende operohet me shifra të vitit 2002.

    Ai kujton se si në vitin 2011 kishte pasur një iniciativë për regjistrim të popullsisë, ku koalicioni qeverisës, i prirë nga Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski, edhe pse harxhuan 9 milionë euro të buxhetit shtetëror, e kanë ndërprerë regjistrimin, duke mos dhënë përgjegjësi për këtë dështim.

    “Tani është prapë BDI-ja me Ali Ahmetin në pushtet me Zoran Zaevin, po dëgjoj do zëra se do të ketë regjistrim vitin e ardhshëm, por do të hiqet grafa e përkatësisë kombëtare nga regjistrimi. Nuk e di a po e kuptoni se çfarë lojëra janë duke u luajtur, me çdo kusht të mos tregohet numri i shqiptarëve në regjistrimin e popullsisë. Unë mund ta kuptoj që në periudhën komuniste janë bërë këso eksperimente, por nuk mund ta kuptoj që qe 18 vite partia në pushtet, BDI-ja, ishte edhe me VMRO-në, është edhe me LSDM-në, atëherë e ndërpreu regjistrimin, tash po bisedon për drafte ku përkatësia kombëtare nuk do të jetë në fletëregjistrim”, tha Reka.

    I ndodhur përballë dy kundër-kandidatëve maqedonas, kandidati shqiptar për president të Maqedonisë Veriore tregohet optimist kur pyetet nëse do të ketë edhe votat e votuesve të BDI-së.

    Sipas tij, edhe për vet shtetin e Maqedonisë Veriore do të jetë shumë më e shëndetshme nëse votohet kandidati shqiptar, e jo kandidati qeveritar.

    Zgjedhjen e tij në krye të shtetit, Reka e sheh si një balancim të politikave.

    “Ajo që ndodhi në Tuz u përshëndet nga BDI-ja dhe nga lideri i saj, si shembull i bashkimit kombëtar. Po të njëjtën ditë BDI-ja tha: ‘duhet të votohet kandidati maqedonas’. Me këtë do të thotë ata e demantuan veten. Janë për bashkim kombëtar politik në Tuz, për unifikimin e votave shqiptare, por janë kundër unifikimit të votës shqiptare dhe kundër kandidatit shqiptar në vendin ku ata janë në Qeveri tash e 18 vjet. Mendoj se koha e diktateve partiake, koha e imponimit partiak se për kënd duhet votuar ka përfundu. Dhe, do të shohim se edhe anëtarësia e BDI-së, pos militantëve të kësaj partie, do të jenë në anën e duhur dhe do të votojnë kandidatin që ka numrin 1. Unë mendoj se edhe për demokracinë e Maqedonisë do të jetë shumë e shëndetshme nëse nuk do të votohet kandidati qeveritar, pasi në atë rast do të kishim një partizim shtetëror, dominim të një partie në të tri degët e pushtetit. Llogaris se do të kem edhe votat e maqedonasve”, shprehet ai.

    Reka ka folur edhe për premtimin e tij se do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ku ka bërë të ditur se një gjë të tillë do ta bëjë përmes kompetencave të tij si president: në gjyqësor, me emërimin e anëtarëve të Këshillit gjyqësor dhe me emërimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

    Kandidati për president është shprehur i çuditur me heshtjen e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë karshi kandidaturës së tij.

    “Më ka ardhur pak çudi heshtja e Kosovës dhe Shqipërisë. Kuptohet, është krejt legjitime që Prishtina dhe Tirana sigurisht kanë kandidat të preferuar presidencial, ndoshta e kanë kandidat të preferuar Stevo Pendarovskin, për shkak të koalicioneve, apo relacioneve miqësore qeveritare, partiake me Shkupin zyrtar. Dhe, e vërtetë është, pos Vetëvendosjes si parti, dhe Albin Kurtit si lider, përkrahje tjetër nuk ka ardhë as nga Republika e Kosovës dhe as nga Republika e Shqipërisë”, thotë kandidati i pavarur precidencial.

    Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 21 prill, ndërsa kandidati i pavarur shqiptar do të përballet në garë me Gordana Siljanovska – Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe Stevo Pendarovskin e LSDM-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!