×
  • Lajme
  • Lajme

    Rektori Marjan Dema me katër vartësit e tij, mbi 230 mijë euro të hyra në vit

    Reporteri
    29 Tetor 2019 | 10:37

    Sipas një liste të pagave, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës nuk janë zyrtarët më të paguar në vend, por janë pesë drejtuesit e Universitetit të Prishtinës.


    Kjo është lista e pagave astronomike në UP.

    Mbi 230 euro mijë euro i kanë “inkasuar” nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” vetëm pesë zyrtarë të lartë të rektoratit gjatë vitit të kaluar.

    Portali “Front Online” ka arritur ta siguroj listën e pagave të Universitetit të Prishtinës për vitin 2018, sipas të cilës, rektori i UP-së, Marjan Dema, ka pasur të hyra të përgjithshme prej rreth 49 mijë euro. Sipas kësaj liste, vetëm paga neto e rektorit Dema për vitin e kaluar ka arritur në 32.671 euro, 6000 euro ai i ka marrë në emër të shtesave të rektorit, 1950 euro nga mbinorma për profesorë, 369 euro kompensim nga Këshilli i studentëve të doktoraturës, 7080 euro në emër të Avancimit dhe Kualifikimit të Mësimdhënësve (AKM), 363 euro shtesa tjera.

    Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se i pari i UP-së gjatë vitit të kaluar ka pasur mesatarisht të hyra neto prej rreth 4100 euro në muaj, duke u radhitur kështu në mesin e zyrtarëve publik më të paguar në Kosovë.

    Ndërsa në përgjigjen për gazetën nga UP-ja mohohet që rektori Dema ka pasur rreth 49 mijë euro të hyra për vitin 2018, pasi që, sipas tyre, ai ka marrë vetëm 35.610 euro në emër të pagës dhe mëditjeve.

    Prorektorja me mbi 60 mijë euro të hyra nga UP-ja

    Sipas listës së pagave të siguruar nga “Front Online”, edhe më shumë të hyra se rektori Dema gjatë vitit të kaluar ka pasur prorektorja e UP-së për buxhet dhe Financa, Myrvete Badivuku-Pantina.

    Përgjegjësja për financat e UP-së, sipas listës së pagave që e posedon “Front Online”, gjatë vitit të kaluar ka pasur të hyra të përgjithshme prej 60.374 euro, përfshirë këtu pagën neto prej 37.499 euro, 5400 euro në emër të shtesave të prorektores, 5400 euro nga mbinorma për profesorë të rregullt, 498 euro nga Institutet, 5880 euro nga AKM-ja, 5697 euro shtesa tjera. Badivuku mesatarisht gjatë vitit të kaluar ka pasur të hyra nga UP-ja mbi 5000 euro në muaj.

    Megjithatë, në përgjigjen e Rektoratit për gazetën thuhet se prorektorja Badivuku-Pantina vitin e kaluar ka marrë pagën netor prej rreth 37.500 euro dhe 1825 euro mëditje, apo të hyra të përgjithshme prej rreth 40 mijë euro.

    Edhe prorektori i UP-së për çështje mësimore, Hysen Bytyqi, sipas listës së “Front Online”, vitin 2018 e ka përmbyllur vitin me rreth 45 mijë euro të hyra, përfshirë këtu pagën netoi prej 29683 euro, 5400 euro shtesa të prorektorit, 5356 euro nga mbinorma, 490 euro nga AKM dhe 3591 euro shtesa tjera. Mesatarisht çdo muaj gjatë vitit të kaluar Bytyqi i ka marrë rreth 3800 euro. Në anën tjetër, sipas zyrës për informim të Rektoratit të Prishtinës, prorektori Bytyqi vitin e kaluar ka marrë pagën neto prej 29.767 euro dhe 7336 euro mëditje, apo gjithsej mbi 37 mijë euro.

    Ndërsa prorektori për kërkime shkencore Faton Berisha gjatë vitit 2018 nga UP, sipas kësaj liste, ka pasur rreth 39 mijë euro në hyra, përfshirë këtu 27196 euro pagën neto, 5400 euro në emër të shtesave të prorektorit, 5480 euro nga mbinorma, 369 euro nga Këshilli i Stundetëve të Doktoraturës, 158 euro shtesa tjera, etj. Mesatarisht prorektori Berisha gjatë vitit të kaluar i ka marrë rreth 3250 euro në muaj. Ndërsa, sipas Rektoratit, Berisha ka marrë pagën neto në vlerë prej 27,196 euro, ndërkaq mëditje në vlerë prej 988 euro.

    UP nuk flet për shtesat, për mbinormën, …

    Sekretari i UP-së, Esat Kelmendi, sipas listës së lartëpërmendur, ka realizuar të hyra të përgjithshme gjatë vitit të kaluar në vlerë prej 38.850 euro, përfshirë këtu pagën neto prej 27 mijë e 6 euro, 3000 euro nga shtesat e sekretarit, 322 euro nga Komisioni për Ankesa, 498 euro nga Institutet, 1844 euro shtesa tjera.

    Mbi 3200 euro kanë qenë të hyrat mesatare mujore edhe të sekretarit Kelmendi.

    Por, sipas drejtuesve të Universitetit, sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi ka marrë pagën neto vjetore në vlerë 27,015 euro, ndërkaq në emër te mëditjeve ka përfituar 1056 euro.“Të dhënat e përcjella me lartë janë të gjeneruara nga Sistemi Informativ i Menaxhimit Financiar të Kosovës, si dhe janë në përputhje me të dhënat që figurojnë në sistemin e pagave në UP. Të dhënat e përcjella me lartë dëshmojnë se shifrat qe ju posedoni dhe aludimet e juaja për mospërputhje të të hyrave ndërmjet listës se pagave dhe vlerave të deklaruara në AKK, nuk qëndrojnë”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Prishtinës për gazetën.

    Pagat në UP, më të lartat në Kosovë

    Paga më të larta se pesë drejtuesit e UP-së nuk marrin as presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.

    Thaçi në formularët e deklarimit të pasurisë ka deklaruar pagë neto vjetore prej 33282 euro dhe 5771 euro mëditje, kryeministri Haradinaj ka deklaruar 32710 euro pagë vjetore, etj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!