×
  • Lajme
  • Lajme / Komunikata

    Rënia drastike në indeksin e lirisë së mediave, LDK: Pasojë direkte e tendencave autoritare të VV’së

    Reporteri
    02 Maj 2025 | 13:16

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rënies drastike të Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, ku u rendit e 99’ta nga 180 shtete.

    Përmes një komunikate për media, LDK ka thënëse se ky regres është pasojë direkte “e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti”, shkruan Reporteri.net.

    “Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij. Raporti i RSF-së thekson ndërhyrjet politike në mediat publike dhe presionet ndaj mediave private, duke përmendur emërimin e personave të afërt me pushtetin në pozita kyçe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave të pavarura.”, thuhet në komunikatë.

    Për më tepër, sipas LDK-së, gazetarët në Kosovë përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe sulme fizike, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh dështojnë të ofrojnë mbrojtje adekuate dhe të ndjekin penalisht autorët e këtyre veprave.

    “LDK e konsideron lirinë e medias si një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe zhvillimit të shoqërisë. Linçimet e medieve nga Vetëvendosje dhe eksponent të saj si dhe praktikat e ndërhyrjes në pavarësinë e medieve duhet të ndalen e ndalohen menjëherë. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe funksionimin e lirë të medieve”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

    Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!