×
  • Lajme
  • Lajme / Eurodeputeti holandez

    Reuten: T’i hiqen masat Kosovës, sulmi i Banjskës ishte incident shumë i madh që s’u ndëshkua

    Reporteri
    24 Tetor 2024 | 12:15

    Eurodeptueti holandez, Thijs Reuten, ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese.

    Reuten ka thënë se masat fillimisht s’do të duhej të ishin vendosur fare.

    Ai ka thënë se ka pasur incidente shumë më të mëdha, sikurse sulmi i Banjskës që s’janë ndëshkuar fare.

    “Masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen. Ata nuk duhet të ishin aty në radhë të parë. Kishte incidente më të mëdha që mbetën pa u ndëshkuar, si sulmi paraushtarak në Banjska”, ka shrkuar Reuten.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian mbi një vit më parë të hiqen. Këtë kërkesë kryeministri Kurti e pati edhe gjatë ditëve të fundit.

    Por zëdhënësi i BE-së Peter Stano, u përgjigj duke thënë se “Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare”.

    Ai bëri të ditur se diskutimet për këtë çështje vazhdojnë të zhvillohen mes shteteve të bllokut, derisa përmendi edhe raportin e shefit të tij, kryediplomatit Josep Borell, në të cilin rekomandohej heqja e këtyre masave.

    “Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një deklaratë në emër të BE-së, i pasuar nga raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, ka thënë Stano.

    Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para më shumë se një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

    Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

    Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). /Reporteri.net/

    “Të hiqen sa më parë”, “S’vendos Kurti” – BE dhe Qeveria “përplasen” për masat ndaj Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!