Rexhep Selimi, një nga themeluesit e UÇK-së është paraqitur sot para gjyqtarit të procedurës paraprake në Hagë.
Selimi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës që e ngarkojnë atë për krime lufte, shkruan Reporteri.
“Ndihem i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë. Unë zakonisht i deklaroj ato çka i ndjej, unë deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh ndër të tjera Selimi.
Selimi në fjalën e tij para Prokurorit të Specializuar e ka quajtur aktakuzën ndaj tij të rëndë dhe të padrejtë.
“Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze dhe e padrejtë, për mua dhe për luftën. Por vetë ky proces do ta dëshmojë se lufta ishte e drejtë dhe e pastër dhe se kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi”, u shpreh ndër të tjera ai.
Selimi ka përmendur edhe komandatin legjendar Adem Jashari duke dhënë se lufta nisi me të dhe përfundoi me gjeneralin Clark.
“Luftën e nisëm me Adem Jasharin dhe e përfunduam me gjeneralin Clark”, u shpreh ndër të tjera Selimi.
Aktakuza kundër Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020.
Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Rexhep Selimin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.