Pas kthimit nga Parisi, Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, për të folur lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku ka theksuar rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Radoniqi e ka njoftuar Osmanin se KQZ’ja është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve, shkruan Reporteri.net.
“Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit”, thuhet në njoftim.
Radoniqi gjatë këtij takimi ka bërë me dije se se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi problemet në platformën e raportimit të rezultateve.
“Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem”, thuhet në njoftim.
Në fund të njoftimit, Presidenca ka theksuar se që nga dita e zgjedhjeve, Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.
“Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve”, përfundon njoftimi.
Ndryshe, edhe 7 vendvotime kanë mbetur të paprocesura për të përfunduar procesi i numërimit të votave të rregullta për zgjedhjet.
Nga 2533 vendvotime, deri të mërkurën në orën 22:12 janë procesuar 2526 ose 99.72 për qind.
Nga procesimi i 2526 vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84 për qind të votave, apo 341 mijë e 672 vota. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 184 mijë e 499 vota apo 22.05 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e treta me 17.67 për qind apo 147 mijë e 827 vota. Koalicioni AAK-Nisma, konservatorët dhe intelektualët ka marrë 62 mijë e 309 vota apo 7.45 për qind, si subjekti i fundit që ka siguruar kalimin e pragut prej 5 për qind. Lista Serbe ka marrë 38 mijë e 83 vota ose 4.55 për qind. Ndërsa Koalicioni për Familje ka marr 2.26 për qind ose 18 mijë e 905 vota./Reporteri.net