×
  • Lajme
  • Lajme

    Rifillimi i dialogut me Serbinë, Presidenti Thaçi e fton Borellin në Kosovë

    Reporteri
    15 Janar 2020 | 13:31

    Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, ka kontaktuar sot me telefon me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me atë serb Aleksandar Vuçiq ku ka theksuar nevojën që këto dy vende të rifillojnë dialogun.


    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, ka folur me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi dhe gjithashtu rëndësinë e punës për rifillimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë, transmeton Koha.net.

    Në komunikatën për media, thuhet se ai konfirmoi vendosmërinë dhe angazhimin e tij personal si lehtësues i dialogut, dhe mbështetjen e Shteteve Anëtare të BE-së.

    Joseph Borrell ka kontaktuar në mënyrë të veçantë me bashkëbiseduesin e tij në Kosovë (Hashim Thaçi) për perspektivat e formimit të një qeverie të re në Prishtinë.

    Në njoftim thuhet se në këtë kontekst, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi liderët e partive të Kosovës që të procedojnë me shpejtësi, në interes të Kosovës dhe popullit të saj.

    “Në diskutimet e tij bilaterale, ai diskutoi gjithashtu me bashkëbiseduesit e tij për progresin dhe perspektivat e ardhshme në rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së dhe rëndësinë e përparimit përpara Samitit BE – Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj 2020”, thuhet në komunikatë.

    Në fund, ai përsëriti qëllimin e tij për të udhëtuar në Prishtinë dhe Beograd në javët e ardhshme.

    Edhe presidenti i Kosovës ka njoftuar për këtë bisedë.

    “Sot zhvillova një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, me të cilin diskutova për perspektivën evropiane dhe zhvillimet në Kosovë e rajon.

    Në këtë bisedë theksova se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe që janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE, si dhe kërkova që të përmbushet obligimi i BE-së për heqjen e vizave për qytetarët tanë, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

    Ne u pajtuam rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

    E mirëpresim vizitën sa më të shpejtë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, në Republikën e Kosovës”, thotë Hashim Thaçi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!