Koroporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se është kthyer në operim Njësia A4 në TC Kosova A.
Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, KEK-u ka njoftuar se defekti në kabllot e matjeve është sanuar, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin se, pas një angazhimi të madh nga menaxhmenti dhe stafi i Termocentralit (TC) Kosova A, njësia A4 është rikthyer në operim. Sanimi i defektit në kabllot e matjeve, i cili kishte ndodhur si pasojë e një lidhjeje të shkurtër, ka përfunduar nga profesionistët e korporatës në një kohë optimale. Falë këtij vullneti dhe përkushtimi të menaxhmentit dhe stafit të TC Kosova A, startimi i njësisë ka filluar sot me dt: 20.10,2024 pas mesnate. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, ajo është sinkronizuar me rrjetin elektrike në ora 05 : 04 dhe gjendja e saj tani është stabile”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Madje sipas tyre, ky rikthim përfaqëson një arritje të rëndësishme për KEK-un, teksa kanë shtuar se në këtë mënyrë kontribuojnë në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike në vend.
“Ne falënderojmë të gjithë punonjësit për angazhimin e tyre dhe jemi të bindur se ky sukses do të ndikojë pozitivisht në operimet tona të ardhshme. Korporata Energjetike e Kosovës vazhdon të angazhohet për ofrimin e shërbimeve të besueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike në vend”, thuhet në përfundim.
/Reporteri.net/.