×
  • Lajme
  • Lajme

    Rinumërimi i votave drejt fundit, nesër pritet të nisë numërimi i atyre me kusht

    Reporteri
    27 Shkurt 2021 | 15:15

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në përfundim të procesit të rinumërimit të votave.


    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Reporterin se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri më tani janë rinumëruar rreth 88% apo 487 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre.

    Sipas Elezit, ky proces pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme.

    “Aktualisht në QNR është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe të premtën në mesnatë, sipas planifikimeve, është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

    Deri më tani janë rinumëruar rreth 88% apo 487 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Po punohet maksimalisht që deri në përfundim të ditës së sotme të përmbyllim procesin e rinumërimit”, ka thënë Elezi.

    Elezi ka shtuar se nesër pritet që të fillojë numërimi i rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta.

    Deri më tani,  janë refuzuar mbi 20 mijë zarfe me vota me postë.

    “Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së të premtën në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt. Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe. Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në QNR.

    Po punojmë shumë që nesër gjatë ditës të mund të fillojmë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Pastaj, edhe numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postës”, ka thënë Elezi. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!