Edhe pse zgjedhjet e 6 tetorit nuk evidentuan shumë parregullsi dhe u cilësuan ndër më të mirat të mbajtura ndonjëherë në Kosovë, ankesat e shumta sidomos për votat me postë nga diaspora dhe ato të serbëve, kanë bërë që të zgjatet procesi i certifikimit të tyre.
Gjatë kësaj jave Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim për rinumërimin edhe të 1472 vendvotimeve, dhe kjo bën që procesi i certifikimit të zgjedhjeve të zgjatet edhe më shumë, shkruan Reporteri.net.
Ndërkohë që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ende po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, KQZ-ja ende nuk ka ndonjë datë se kur do të përmbyllet ky proces. Mirëpo nga ky institucion kanë njoftuar se kanë shtuar numrin e personelit, në mënyrë që mesatarja e numërimit të vendvotimeve të shkojë diku 120 vendvotime brenda 24 orëve.
Bazuar në këtë i bie që pjesa e mbetur e vendvotimeve mund të rinumërohen brenda 10 ditëve, për tu hapur pastaj rrugën procedurave të tjera deri te certifikimi i zgjedhjeve, që pritet të marrin edhe disa ditë kohë.
Kujtojmë se PZAP të hënën ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve pas ankesave të pranuara nga subjektet politike që gjithsej ishin 102, si dhe ta pranojë të bazuar ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, që të largojë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia. /Reporteri.net