×
  • Lajme
  • Lajme / Energji

    Rizvanolli: KEK-u ka nisur furnizimin me energji për ndërmarrjet në tregun e lirë

    Reporteri
    01 Qershor 2025 | 16:54

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se nga sot, më 1 qershor, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka filluar të furnizojë me energji ndërmarrjet që operojnë në tregun e lirë, por që ende nuk kanë arritur të lidhin kontrata me furnizues të tjerë.

    KEK tashmë vepron në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF).

    Sipas njoftimit të KEK-ut, energjia për këto ndërmarrje për ditën e sotme është siguruar me një çmim mesatar prej 64.55 euro për megavat orë (€/MWh), përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).

    Ministrja Rizvanolli u ka bërë thirrje të gjitha ndërmarrjeve të cilat kanë kaluar në treg të lirë që, brenda afateve ligjore, të nënshkruajnë marrëveshje furnizimi me KEK-un si FMF, ose të zgjedhin furnizues alternativ sipas preferencës së tyre.

    “KEK është në dispozicion për të ofruar të gjitha informacionet e nevojshme për furnizimin përmes këtij mekanizmi,” ka theksuar Rizvanolli, duke shtuar se pret nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) të monitorojë tregun me përpikëri dhe të ndihmojë në lehtësimin e tranzicionit për të gjitha palët e përfshira.

    Rizvanolli shton tutje se Qeveria e Republikës së Kosovës,  mbetet e përkushtuar për të ndihmuar ndërmarrjet që tashmë kanë kaluar në tregun e lirë që të gjejnë zgjidhjet më të favorshme për nevojat e tyre energjetike.

    “Sa më shpejt që ndërmarrjet të kenë qasje në informata të sakta, aq më i shpejtë dhe më i lehtë do të jetë tranzicioni për to,” ka  shkruar Rizavanolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!