×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Rizvanolli mbikëqyr punimet e remontit në bllokun B1 dhe informohet për rrjedhjen në B2, tregon kur kthehet në funksion

    Reporteri
    09 Prill 2025 | 17:29

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbikëqyrur punimet e remontit në bllokun B1 në Termocentralin Kosova B.

    Rizvanolli ka hënë se remonti po zhvillohet sipas planit dhe se i paraprin fillimit të modernizimit të turbinës në bllokun B2, që do të fillojë në fund të këtij muaji, shkruan Reporteri.net.

    Sipas saj, investimet e këtij viti do t’ia rrisin kapacitetin e kësaj njësie për rreth 15 MW, ndërsa me përfundimin e plotë të rehabilitimit, TC Kosova B do t’i rritet kapaciteti për 80 MW, prodhimi vjetor për 600 GWh, si dhe jetëgjatësia për 20 vite.

    “Gjatë vizitës gjithashtu u informova se në Bllokun B2 kishte një rrjedhje, si pasojë e së cilës blloku është dashur të nxirret jashtë funksionit mbrëmë pas mesnate. Megjithatë, ekipet janë duke punuar me intensitet të lartë dhe blloku pritet të rikthehet në funksion deri nesër në orën 08:00 të mëngjesit. Falënderova punëtorët dhe menaxhmentin, të cilët me vetëmohim po punojnë paralelisht në remontin e Bllokut B1 dhe në sanimin e rrjedhjes në Bllokun B2”, ka shkruar Rizvanolli, teksa ka publikuar edhe disa fotografi.

    Ndryshe, mbrëmë është ndalur puna edhe në bllokun A3, për shkak të problemeve të ndjeshme me humbje të ujit, shkruan Reporteri.net.

    “Në lidhje me këtë, KEK ka njoftuar me kohë Kompaninë e Distribuimit të Energjisë Elektrike dhe ka marrë masa që kapacitetet e njësisë A3 të mos nominohen për ditën e nesërme. Ekipet tona të ekspertëve janë në gatishmëri për të identifikuar dhe sanuar çdo defekt që mund të jetë shkaktar i këtij problemi, sapo të krijohen kushtet (pas ftohjes së njësisë), për të rikthyer njësinë në funksion në kohë optimale”, thuhet në njoftim./Reporteri.net

    Blloku A3 do të ndalet nga puna sonte nga ora 23:59, KEK tregon arsyen

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!