×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Rizvanolli: Po shqyrtohet mundësia për prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve të vogla në kanalet e KRU “Gjakova”

    Reporteri
    19 Nëntor 2024 | 18:58

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka vizituar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, prej ku ka njoftuar se po shqyrtojnë mundësitë për prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve të vogla në kanalet ekzistuese, shkruan Reporteri.net.

    “Këto studime vijnë si vijim i një pune të shkëlqyeshme që po bënë ndërmarrja me laboratorë që monitorojnë cilësinë e ujit 24/7, sistem digjital SCADA për monitorimin e procesit të prodhimit të ujit, sisteme të energjisë solare që prodhojnë energjinë e nevojshme për pikat e pompimit, e me rritje të të hyrave për mbi 827 mijë euro, e ulje të shpenzimeve operative për mbi 247 mijë euro gjatë 9 muajve të parë të këtij viti në krahasim me 9 muajt e parë të vitit të kaluar”, citohet të ketë thënë Rizvanolli, sipas njoftimit që ka lëshuar Ministria e Ekonomisë.

    Në takimin me menaxhmentin e kompanisë thuhet se ajo është njoftuar me procesin e punës dhe projektet që janë kryer dhe ato që janë në proces, si ndërrimi i gypave të rrjetit ujësjellësit nga AC në PE, në rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve, hidroizolimi i rezervuarëve në Dedaj, Reti, Dushkajë dhe Qerim, furnizim dhe montim i paneleve solare në stacionet e pompave, e projekte tjera.

    “Ministria e Ekonomisë është duke investuar projekte në vlerë prej 1.4 milion euro, si projekti i furnizimit me ujë të pijshëm për fshatrat Hoçë e Madhe, Zoqisht dhe Opterushë dhe zonën industriale të Komunës së Rahovecit dhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për fshatrat e Krushë e Madhe, Piranë, Zojcë dhe Medvec. Ndryshe, KRU “Gjakova”  ka kapacitet dhe mund të furnizojë me ujë të pijshëm rreth 230,000 banorë, me kapacitet  1,000 lit/sec, apo prodhim të ujit të pijes në sasi prej 86,400 m3 në ditë”, përfundon njoftimi i Ministrisë.

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!