Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, e ka bërë të qartë se institucionet e Kosovës janë të përgatitura të përballojnë kërcënime të tilla.
Rizvanolli ka thënë se po punohet për zgjidhje afatgjatë të problemit për furnizim me ujë dhe energji elektrike.
“Ky sulm e bëri një gjë të qartë, institucionet e Kosovës dhe ndërmarrjet publike janë të përgatitura të përballojnë kërcënime të tilla, duke siguruar që furnizimi me ujë dhe energji të rikthehet shpejt dhe pa pasoja për qytetarët. Ibër-Lepenci është duke vazhduar punën me ekspertë dhe me përkrahje të ministrisë për ta bërë të mundur sanimin afatgjatë të kanalit, ndërkohë që po e monitoron bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e sigurisë 24 orë në ditë lokacionin ku ka ndodhur sulmi dhe rrjedhën e ujit aty për të siguruar që zgjidhja teknike emergjente që është bërë, është e qëndrueshme deri në gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjes afatgjatë”, ka thënë ajo në konferencë.
Gjatë ditës, Rizvanolli ka thënë se furnizimi me ujë në zonat e prekura nga ky sulm po kthehet në normalitet.
Kurse, kryeministri Albin Kurti tha se pasojat nga sulmi i të premtes do të ishin marramendëse nëse do të arrinte qëllimin e tij, ku mijëra qytetarë do të mbeteshin pa furnizim me ujë e energji.
“Po të arrihej qëllimi ky sulm terrorist do të lente pa energji mbi gjysmën e popullatës dhe pa ngrohje mbi 130 mijë qytetarë të Prishtinës. Pastaj do të mbeteshin pa ujë shumë komuna dhe do të rrezikoheshin mbi 300 mijë qytetarë edhe në kryeqytet”, tha Kurti.
Ai tha se dëmet direkte do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë për import të energjisë elektrike e 100 mijë euro tjera në ditë për ujë. /Reporteri.net/.