×
  • Lajme
  • Lajme

    Robert Muharremi e mohon se kishte aderuar ndonjëherë në PDK, Veseli e konsideronte “lajm fantastik” bashkimin e tij në parti

    Reporteri
    17 Shtator 2020 | 11:24

    Me një fotografi në Facebook e në Twitter, Kadri Veseli i kishte shprehur mirëseardhje në atë, që në vitin 2017 e quante “Fillimi i ri”.


    Robert Muharremi, një profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare u prezantua si prurje e mirë në ekipin e kryetarit të PDK-së. Tre vjet më vonë, Robert Muharremi është angazhuar sërish në një mision, tani në dialogun Kosovë-Serbi, si ekspert i qeverisë së Kosovës të cilës i prin Avdullah Hoti i LDK-së.

    Muharremi, së bashku me profesorin e ekonomisë, Muhamet Mustafa, në cilësinë e ekspertëve, kanë udhëtuar drejtë kryeqytetit evropian për takimin e nesërm mes palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Muharremi në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e PDK-së, ndonëse e kishte përkrahur liderin e kësaj partie.

    Ai ka thënë se ka qenë këshilltar i jashtëm i ish-ministres nga PDK, Dhurata Hoxha.

    “Përkundër përkrahjes time publike për Kadri Veselin, nuk jam anëtarësuar në PDK dhe as nuk kam marrë pjesë ndonjëherë në strukturat partiake të PDK. Po ashtu, në shkurt 2018 jam larguar edhe nga cilësia e këshilltarit të jashtëm të Ministres së atëhershme Dhurata Hoxha. Deri para një muaji kam qenë këshilltar i jashtëm dhe pro bono i Ministres për Punë të Jashtme (AAK) gjë që tregon që nuk jam PDK”, ka thënë Robert Muharremi.

    Ai tha, gjithashtu, se nuk është as pjesë e partisë së Isa Mustafës, ndërsa angazhim në qeverinë e Kosovës e ka vetëm në cilësinë e ekspertit. Robert Muharremi është ligjërues në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK). /kallxo/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!