Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se avokimi për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është promovim i nacionalizmit.
Jorn Rohde, ka deklaruar kështu teksa ka bërë të ditur se sot është takuar me Kushtrim Koliqin nga organizata joqeveritare “Integra”, partner i festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”.
“Sapo u takova me Kushtrim Koliqin nga organizata joqeveritare Integra, partneri i festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan’ nga Kosova, i organizuar nga njerëz të guximshëm nga Kosova dhe Kosova, duke u fokusuar për paqen dhe pajtimin. Autoritetet e Serbisë tani kanë ndaluar edicionin e 10-të të tij. Avokimi për këtë ndalim është promovimi i nacionalizmit. Kjo nuk ka vend në Evropë”, ka shkruar Rohde.
Just met Kushtrim Koliqi from @IntegraNGO, 🇽🇰 partner of 'Miredita, Dobar Dan'-festival, organized by courageous ppl from 🇽🇰&🇷🇸 focusing on peace + reconciliation.
🇷🇸 authorities now banned its 10th edition. Advocating the ban is promoting nationalism. This has no place in Europe pic.twitter.com/1oZqeCHlbn— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) July 3, 2024
Shfaqja “Babai dhe Babai” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, me regji të Koliqit, ishte e planifikuar të hapte manifestimin më 27 qershor.
Pak para se të niste, festivali u ndalua me urdhër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Organizatorët e ngjarjes thanë se shteti u rreshtua përkrah huliganëve, duke iu referuar djathtistëve dhe grupeve të tifozëve, që protestuan para vendit ku planifikohej të mbahej festivali.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më 27 qershor urdhëroi që festivali të mos mbahej, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë. Paraprakisht, gjatë 27 qershorit grupe të djathtistëve dhe tifozëve bllokuan hyrjen në zonën ku ishte paraparë të bëhej hapja e festivalit.
Policia, e cila nuk ndodhej në vendngjarje, shumë shpejt urdhëroi “ndërprerjen” e festivalit për shkak të “rrezikimit të sigurisë”.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se nuk ka parë arsye që në Serbi të ketë festival sikurse “Mirëdita, dobar dan”, duke theksuar se personalisht beson se përgjigja më e mirë ndaj organizatorëve të ngjarjes është “shpërfillja”.
Ndalimi i festivalit u dënua nga disa parti opozitare në Serbi, ndërsa Bashkimi Evropian shprehu keqardhje.
Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet herë në Kosovë dhe herë në Serbi prej vitit 2014 dhe qëllimi i tij është përmirësimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net/