×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrahen nxënësit e gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog, mësimdhënësi fajësohet për rastin

    Reporteri
    28 Maj 2019 | 20:43

    Të premten e kaluar në pushimin ndërmjet orës së pestë dhe gjashtë, 7 nxënës janë rrahur mes vete në korridorin e gjimnazit “Haxhi Zeka”, në Istog.


    Sipas drejtorit të shkollës, Ibrahim Bytyçit, motivi i rrahjes, është një mosmarrëveshje ndërmjet nxënësve të klasave të ndryshme të 11-ta.

    Por, drejtori i gjimnazit thotë se në kamerat e sigurisë së shkollës, shihet se si mësimdhënësi i Sociologjisë, Arlind Bajra, i cili ka pasur mësim me klasën 11/3 e ka ditur për konfliktin ndërmjet nxënësve dhe nuk ka intervenuar, raporton KTV.

    Në pamje shihet se si ky mësimdhënës, nga klasa ku ka dhënë mësim, 2 herë del prej aty dhe shkon në klasën 11/1.

    Dhe, kur ka përfunduar ora, ai ka dalë prej klasës dhe menjëherë nxënësit janë rrahur mes vete.

    Sipas Bytyçit, mësimdhënësi i Sociologjisë, edhe në mbledhjen e prindërve që u mbajt të hënën për këtë rast, e ka sharë dhe ofenduar atë.

    Dy nxënësve të klasës 11/3, drejtoria e shkollës ua ka thyer notën e sjelljes, si masë ndëshkuese për rrahjen.

    Ndërsa, 5 nxënësit e klasës 11/1, që po vlerësohen si iniciues të rrahjes, janë suspenduar për një javë nga mësimi.

    Dy nxënësit e klasës 11/3 thonë se ata nuk ishin iniciuesit e rrahjes dhe sipas tyre, mësimdhënësi këtu nuk ka faj pasi ai është munduar ta zgjidhë këtë problem.

    Drejtori i kësaj shkolle thotë se do të paraqesë një raport ankues për mësimdhënësin e Sociologjisë, në Drejtorinë e Arsimit të Istogut për shkak të akuzave ia ka bërë para prindërve.

    KTV-ja ka provuar të kontaktojë me mësimdhënësin e Sociologjisë, por ai gjatë ditës nuk ishte në shkollë. Gjatë ditës, po ashtu telefoni i tij nuk ishte i qasshëm, dhe nuk u është përgjigjur mesazheve të dërguara.

    Rrahja nuk është paraqitur në Polici dhe në drejtorinë e Arsimit të Istogut, pasi kështu është vendosur në mbledhjen e prindërve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!