×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrahja me Haki Abazin: A do ta pësojë Molliqaj me largim nga gara për deputet

    Reporteri
    12 Shtator 2019 | 11:00

    Mbrëmë në Televizionin 7 në emisionin Pressing të drejtuar nga gazetari Leonard Kërquki, pati një debat të ashpër në mes të kandidatëve për deputetë, Haki Abazi nga VV dhe Dardan Molliqaj nga koalicioni AAK-PSD. Ndërsa, pas debatit, sipas drejtuesit të këtij emisioni, Molliqaj kishte sulmuar fizikisht Abazin.


    Pas kësaj, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, ku përveç tjerash, ka kërkuar që dikur sekretari i partisë së saj, tani pjesë e PSD’së, të cilit në reagim nuk ka dashur t’i përmend as komplet emrin, të përjashtohet nga gara për deputet të Kuvendit të Kosovës, shkruan reporteri.net.

    “Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë”, thuhet në reagimin e VV’së.

    Madje, partia e Albin Kurtit, i cili Molliqajn deri vonë e kishte krah të djathtë, e ka quajtur atë banditë, dhe ka kërkuar që atyre të mos u jepet hapësirë as nëpër debate televizive.

    “Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive. Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesit e tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë”.

    “Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë. Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët”.

    “Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazi, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike”, thuhet në fund të reagimit të VV’së.

    Megjithatë, me rastin tani ka filluar të merret policia, dhe në hapësirat ku pretendohet se është sulmuar Abazi, thuhet se ka edhe kamera të sigurisë, të cilat do të mund të ndihmojnë shumë në sqarimin e rastit.

    Molliqaj, pas daljes së lajmit, e ka demantuar sulmin fizik ndaj Abazit, duke thënë se ka pasur vetëm një konflikt verbal.

    Kërkesës së VV’së për përjashtim të Molliqajt nga gara për deputet, e cila nuk dihet nëse i është drejtuar edhe zyrtarisht KQZ’së, ky institucion nuk i është përgjigjur ende. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!