Ani pse kishte “kërcitur” grushti në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të drejtuar nga Hajrullah Çeku i VV-së, dhe Policia e Kosovës kishte shkuar në vendin ngjarjes, këta të fundit s’e kanë raportuar në Raportin 24 orësh të këtij institucioni, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Rasti i ndodhur ditën e djeshme në ambientet e Ministrisë së Kulturës, e që duhej të ishte në Raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, nuk figuron fare.
Ishte vetë Ministri Çeku i cili konfirmoi këtë rast të ndodhur në Ministrinë që ai udhëheq, ku sekretari i Ministrisë e ka sulmuar zyrtarin Miftar Latifi.
Në konferencën për media, Çeku tha se janë duke mbledhur të gjitha dëshmitë dhe informacionet, e që më pas të ndërmarrin veprimet e nevojshme, por theksoi se “askush nuk ka të drejtë të përdorë dhunë ndaj dikujt tjetër sidomos brenda institucioneve të shtetit”.
“Informatat jemi duke i marrë, faktet jemi duke i kontrollu, besoj që edhe Policia po e kryen pjesën e saj të punës që është shumë e rëndësishme në këto raste”, tha Çeku.
Se rrahja kishte ndodhur, e konfirmoi edhe vetë zyrtari të cilin e kishte sulmuar sekretari i kësaj Ministrie, por s’dha shumë detaje pasi sipas tij Policia po e heton.
“Raportimi është i vërtetë, rastin e kam paraqitur në polici dhe s’ka më shumë detaje nga unë meqenëse ky institucion po e heton tashmë rastin”, tha Miftar Latifi për KlanKosova.
Gazeta Online Reporteri.net ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, por që të njëjti ende s’kanë kthyer përgjigjje.
/Reporteri.net/