Pas trajtimit mjekësor që ka pranuar, gazetari hulumtues Visar Duriqi, ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës në Prishtinë, pasi një natë më parë u rrah brutalisht nga tre persona të maskuar.
Pas deklaratës në polici, Duriqi ka thënë per media se rrahja ka zgjatur rreth një minut e gjysmë, ndërsa sulmi ka nisur nga një person fillimisht, më pas janë përfshirë edhe dy të tjerë.
Ai tha se i ka katër dhëmb të thyer, nofullën dhe hundën të dëmtuar, si dhe lëndime të tjera, raporton Gazeta Express.
Gazetari Duriqi pohon se kërcënime ka pranuar nga viti 2014-të, teksa shton se sulmi mund të ketë ardhur për shkak të punës së tij në dokumentarin hulumtues që e transmeton në TV dhe media online.
Duriqi ka deklaruar se hetimet për gjetjen e të dyshuarve do t’ia lë në dorë policëve hetues.
Policia ka konfirmuar se të dyshuarit kanë mbajtur maska gjatë sulmit, përderisa gazetari është rrahur në afërsi të banesës së tij.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, ka thënë policia.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.