×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrëfimi për pacienten dhe mjekun që po kërkohet nga policia: E puthi dhe e zhveshi 15 vjeçaren

    Reporteri
    25 Shkurt 2021 | 18:05

    Mjeku nga Malisheva, Ramadan Sopaj, po kërkohet nga Policia e Kosovës për dërgim në vuajtje të dënimit për veprat penale, keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeç dhe sulm seksual.


    Pasi policia kërkoi ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij, Oda e Mjekëve të Kosovës, njoftoi se Sopaj ka punuar si mjek familjar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Shpëtim Robaj” në Malishevë. Teksa ky organ është distancuar nga veprimet e mjekut.

    Para tri vitesh, ishte raportuar për ngacmimin seksual që mjeku i kërkuar nga policia, ia kishte bërë një pacienteje 15-vjeçare.

    Ajo kishte kërkuar trajtim mjekësor për dhimbje barku, por nga ajo çka e mitura i ka treguar familjes, ishte prekur në vende intime nga doktori në fjalë.

    Ajo në QKMF-në, “Shpetim Robaj” të Malishevës u prit nga mjeku familjar Ramadan Sopaj. Gjatë kontrollit mjekësor ia kishte shpjeguar dhimbjet në bark që i kishte pasur. Por, sipas saj, mjeku Sopaj e kishte ngacmuar atë seksualisht, duke e prekur në vende intime. E pas kësaj, familja e kishte denoncuar rastin në polici.

    “Ka shku çika te mjeku, ka hy, qashtu qysh hyjnë krejt pacientët. Mjeku e ka pyet se ku po i dhembë. Çika i ka tregu se ku po i dhëmbë. Ai doktori ka nisë me e zbulua lartë vajzën, e duke e prekë lartë e tu e puthë qysh ka dashtë”, kishte rrëfyer nëna e vajzës në vitin 2018 për Gazetën Express.

    Nga familja e viktimës thonë se mjeku Sopaj nuk është ndalur me aq, por vajzën e ka prekur edhe në pjesët intime. Këtë gjë, thonë ata, e kanë vërtetuar edhe kontrollet gjinekologjike të bëra në QKUK.

    “Ai i ka thënë vajzës, zhvishu më poshtë, vajza i ka thanë po këtej nuk po më dhemb dhe ka dashtë me u çu. Ai ia ka vu çikës duart dhe i ka thanë ‘unë jam mjek, nuk bën me u çu’. Edhe ia ka nisë me e zhveshë vajzën poshtë dhe ka nisë me e prekë. Çika ka bërtitur. Aty dikush e ka çelë derën, por ai i paska thanë atij personi mbylle derën se jam me pacient. Çika ka bërtitur edhe tu qajtë ka dalë prej aty. E ka taku në rrugë një vajzë që s’po e njohim, prej telefonit të saj, vajza më ka thirrë mu. Vajzën policia e kanë çu në gjinekologji në QKUK. aty mjekët e kanë kontrolluar edhe shihen shenjat që ai e ka grithë vajzën”, e ka shpjeguar tërë rastin nëna e vajzës 15-vjeçare.

    Atëkohë, Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë njoftoi se doktori i denoncuar Ramadan Sopaj ishte suspenduar nga puna. Ndërsa, i njëjti nuk është duke punuar si mjek aty që dy vite.

    Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen Ramadan Sopaj, të lajmërojë policinë apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!