×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Rrëfimi prekës i babait për djalin 18-vjeçar që ia vranë gjatë luftës, eshtrat ia gjeti pas 26 vitesh

    Reporteri
    09 Prill 2025 | 20:07

    Më 4 prill janë rivarrosur personat e zhdukur nga lufta, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në Bishtazhin të Gjakovës. Ceremonia e rivarrimit është bërë edhe për Mentor Kryeziun, i cili u vra në Masakrën e Kralanit të Gjakovës, kur ishte vetëm 18-vjeç.

    Babai i tij, Maliqi, në një rrëfim për Gazetën Online Reporteri.net, ka ndarë momentet e fundit që pati me të birin. Maliqi mes lotësh tregon se si ia ndanë djalin në livadhin ku i kishin mbledhur gjithë burrat. Duke folur për atë moment, tregon lutjet që ua kishte bërë që mos t’ia merrnin djalin, e ta nisnin për në “rrugën e pakthim”.

    “Ka ardh ai grupi që i kanë kry masakrat. Kur kanë ardh ata, e kom ditë që nuk është puna mirë. Ata as që e kanë përshëndet atë oficerin dhe kanë fillu me i seleksionu njerëzit. “Ti, ti, ti…kujt ia bëjshin çu”, s’kish aty, sepse sekondat ishin në pyetje. Po i them Mentorit, ulë kokën e mos i këqyr. Po ne ishim në një pozitë ulë asisoji që nuk ishim për me mbetë të fundit. Por, ajo që ndodhi pastaj, ne mbetëm të fundit. Mentori ish afër meje dhe na u çuam në kambë tash, hajde ju tash me u çu me ec për Shqipëri. Mentori ma ka ngjit përdore, u zbeh në fytyrë fort. Si e kanë pa që ma ka ngjit përdorë, kanë vrapu katër persona edhe automatat mua në bark, e atij në bark. Ec andej. “Mosni bre se fëmijë është”, rrëfen Maliqi.

    Moment më të rëndë thotë se nuk ka përjetuar asnjëherë.

    “Kur kemi dalë rreth 150 metra ashtu, i kemi ndi krismat. Tash a i kanë nda, apo i kanë vra përnjëherë, a çka kanë bë me ta, ne nuk e dijmë. Por, aty ka ndodhë një hata e madhe”, vazhdon rrëfimin ai.

    Djali i tyre është identifikuar 26 vite pas luftës. Ai rrëfen edhe për momentin kur iu kumtua lajmi.

    “Atëherë edhe ishim tu prit na familjarisht se na e kemi ditë që Mentori nuk është gjallë se 26 vite kurrfarë shenje. Në momentin kom qenë në dhomë të fjetjes, edhe shoqja ka aty, në atë moment nuk kam mujt edhe jam rrëzu në shtrat. Shoqja tha çka u ba. Thash pa Mentorin, mbetëm përfundimisht pa ta. S’kom mujt as në kam me u cu”.

    Maliqi thotë se përjetimet e asaj dite iu kthyen kur e pa emrin e djalit mbi arkivol.

    “Kur kom shku e kom pa arkivolin edhe emrin e Mentorit në ballë, aty mu ka kthy edhe njëherë si sot me pas ndodhë. Momenti i rivarrosjes, shumë i vështirë”, tregon ai.

    “10 vitet e para kam nejt me shpresë pak se do të ketë diçka, masnej veç e lutsha Zotin, o Zot çoma ta shoh andërr. E kam ditë më se nuk është gjallë. Kemi jetu me andrrat e tij”, rrëfen Maliqi, duke i fshirë lotët. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!